Nga ARTUR AJAZI

Shumë teori “konspirative” dhe shumë emra po dalin lidhur me emrin dhe zgjedhjen e kreut të ri të shtetit. Disa thonë “nuk duhet të jetë si Meta” disa “nuk duhet të jetë nga socialistët”, apo “nuk duhet të jetë vasali i kryeministrit Rama”etj…. Pra si çdo gjë tjetër që bëjmë ne shqiptarët (ku në çdo gjë na duhet ndihma e ndërkombëtarëve) duket se edhe në zgjedhjen e kreut të shtetit do të na duhet një shtysë nga jashtë. Takimet e Taulant Ballës me Alibeajn, apo Idrizin e Mediun, nuk kanë dhënë rezultatin e duhur, dhe nuk pritej asgjë në fakt. Nga ana e tij edhe kreu i “Rithemelimit” Sali Berisha, ka nisur një fushatë selektimesh, shpifjesh, dhe aludimesh (pas rezolutës për Sebrenicën në Parlament -sa qesharake kur e mendon) mbi kreun e ri të shtetit. Ai shprehet se “nuk do të jetë “hiç” dakort me emrin e Ramës, po ashtu edhe me emrin e propozuar nga PS”, ndaj thotë “duhet që ti lihet opozitës në dorë emri dhe votimi i tij”.

Por si mund ti lihet në dorë emri, dhe votimi i tij, një partie të shpartalluar, që nuk po arrin të ribashkohet, dhe nuk po arrin të unifikohen mes tyre. Si mund ti lihet në dorë fati i kreut të ri të shtetit, një grupimi që drejtohet nga Sali Berisha, njeriu “non-grata” që nuk ka shanse veç disa mbështetësve të tij, të takohet me ndonjë ambasador perëndimor këtej e tutje. Zgjedhja e kreut të ri të shtetit, duhet të vijë natyrshëm përmes takimeve frytdhënëse me partitë politike (dhe jo grupimet e damkosura), dalja e emrit të tij, duhet të vijë pas konsultimeve mes tyre, duke zbatuar ligjin dhe kriteret e vendosura. Nuk mund të dalë kurrë një emër nga politika, pasi edhe 4 vite të tjera vendi duhet të vuante nga telashet dhe sherret mes palëve politike. Nuk mund të vijë kurrë ky emër, nga “Rithemelimi”, grupimi më absurd, që ka rrënuar Partinë Demokratike dhe ka gjasa të rrezikojë rendin dhe qetësinë e vendit nga paralajmërimet e kreut të tij Berisha.

Zgjedhja e kreut të ri të shtetit, është një moment solemn, dhe ndikon direkt në stabilitetin dhe dinjitetin e vendit, si dhe marrëdhëniet e politikës me faktorin ndërkombëtar. Një emër nga shoqëria civile apo rrethet akademike, do të ishte një gjetje e duhur, një proces që do ti bënte nderin e madh, vendit në situatën ku ndodhemi. Pavarsisht kompetencave të pakta që ka sot kreu i shtetit, posti i tij mbetet simboli më domethënës i njeriut që duhet të sigurojë bashkëjetesën dhe harmoninë në politikë, dhe më gjërë. Një emër nga politika opozitariste(nga “Rithemelimi” kurrën e kurrës) do të ishte e papranueshme, dhe shqiptarët nuk do t’ja falnin kurrë kësaj shumice qeverisëse. Një president nga Partia Demokratike, e kemi provuar, dhe themi edhe sot e kësaj dite “mos ardhtë kurrë ajo kohë”, ndaj mendoj se Sali Berisha, (apo dhe Alibeaj) nuk ka sot as moralin dhe as mundësinë të ndikojë jo vetëm në “përzgjedhjen e emrit, apo dhe dominimin e votimit të tij në Parlament”, por edhe të pretendojë se mund të bllokojë procesin e zgjedhjes së tij.