Ilir Meta i është shmangur akuzave të drejtpërdrejta ndaj tij të ngritura nga gazeta prestigjoze austriake lidhur me aferat e tij.

Për t’ju kundërpërgjigjur ai ka zgjedhur zëdhënësin e tij i cili thotë se Meta po ndjek rrugë ligjore.

“Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta ka autorizuar stafin dhe mbrojtësit ligjorë, që të përgatisin menjëherë padinë ‘Për përhapjen e të dhënave të pavërteta’, ‘Shpifje’, ‘Cenim të imazhit publik’ – që në këtë rast cenon rëndë edhe interesat e larta shtetërore – kundër gazetës austriake”, tha ai.

Më herët gazeta austriake “Kronen Zeitung” i ka kushtuar një shkrim të plotë për një aferë korruptive prej 700 mijë dollarësh, në të cilën është i përfshirë Presidenti i Republikës, Ilir Meta.

Blushi e ka cilësuar përmbajtjen e artikullit si “shpifje dhe gënjeshtra të hershme dhe të konsumuara prej vitesh”.

Ai bëri me dije se kjo ishte hedhur në tregun mediatik edhe kohë më përpara. Sipas tij këta e kanë marrë përgjigjen shumë të qartë dhe në mënyrë asgjësuese, që në prill të vitit 2018.

“Edhe kjo përpjekje e radhës, e rifabrikuar në mënyrë qesharake dhe vulgare, do të marrë përgjigje përpara drejtësisë austriake”, theksoi Blushi.

Ky i fundit thekson se në këtë mënyrë shpifësit do të marrin përgjigjen e merituar përballë drejtësisë.

“Presidenti i Republikës garanton se beteja e Tij për mbrojtjen e interesit publik dhe luftën kundër korrupsionit, jo vetëm që nuk do të ndalet, por do të përshkallëzohet, që nga zbardhja e plotë e aferës së inceneratorëve (që deri tani vetëm sa është gërvishtur), si dhe të gjitha aferat e tjera”, përmbyllet njoftimi i Blushit.

Sipas gazetës nga kjo aferë jeta e një detektivi është e rrezikuar.

Nga rrëfimi i informatorit sekret, bëhej me dije se gjithçka rrotullohet qark Ilir Metës në këtë ngjarje.

Në vitin 2017, Meta ka shpërndarë një fotografi me një kolege partiake, në inaugurimin e presidentit Donald Trump, përballë Capotol Hill në Washington.

Për të marrë Meta aksesimin në këtë ngjarje të inaugurimit të zyrtarit më të lartë amerikan, thuhet se Meta loboi tek një kompani fantazëm qipriote. Kostoja, ishte 700 mijë dollarë!

Ende në këtë ditë sipas informatorit, është e paqartë se kush e ka paguar udhëtimin e Metës.

Vetë presidenti, pretendon se ka marrë ftesë nga vetë republikanët.

Sipas disa dokumenteve të sistemit juridik amerikan ndërkaq, paratë janë kaluar nga një avokat i afërt me Metën përmes një kompanie offshore, të njohur si Dorelita Limitied.

Pak javë përpara inaugurimit të Trumpit, një kontratë është nënshkruar mes Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe këtij avokati. Menjëherë më pas, Meta nga kryetar i partisë dhe kryeparlamentar, u zgjodh President i Republikës.

Mirëpo, sipas informatorit, në SHBA shkoi me paratë e kësaj firme fantazëm.

Madje, pikërisht për arsye se kontrata e lobimit në postin që ai mbante tashmë do të ishte e vështirë për t’u shitur tek opinioni publik, asaj iu dha fund.

Por, një kontratë tjetër, po me Dorelita Limitied, u nënshkrua, pavarësisht se kompania nuk ka asnjë aktivitet biznesi të regjistruar.

Në listën e dyshuar të shpenzimeve të tyre, është një shumë prej 50 mijë dollarësh, e cila lidhet me takime të ndryshme me senatorë amerikanë, darka, udhëtime, madje deri tek pagesat për ndërhyrje të kirurgjisë kozmetike nga bashkëshortja e Metës, Monika Kryemadhi, e cila ka marrë drejtimin e partisë prej vitit 2017, duke hequr dorë nga posti i zonjës së parë të shtetit.

Gjithsesi, gjithçka mbetej në fjalët e informatorit dhe gazetës, pasi asnjë nga akuzat, nuk është e provuar.