Kryeministri Edi Rama ka vizituar sot Ndroqin, së bashku me kryetarin e bashkisë së Tiranës Erion Veliaj dhe Arben Ahmetaj.
Sot është bërë dorëzimi i 74 shtëpive të rindërtuara pas tërmetit, në atë që kryeministri e quajti një qendër komunitare.
Rama theksoi se veç rindërtimit të shtëpive, është treguar kujdes edhe mbi faktin që për këto familje të siguroheshin shërbime për të moshuarit me qendrat shëndetësore dhe për të vegjlit dhe prindërit e tyre me çerdhet e kopshtet.
Kryeministri sqaroi se veçmas shtëpive, banorët do të kenë në pronësi edhe tokat që kishin paraprakisht.
Ai ka theksuar se shtëpitë janë bërë falas dhe jo me kredi të buta siç funksionon në shtetet e tjera. Kryeministri përmendi rastin e Italisë, që sipas tij edhe pas 15 vitesh ka ende familje të cilat jetojnë në kabina.
“Më vjen mirë që pasi kemi ardhur disa here për të ndjekur punën sot ju urojmë ti gëzoni shtëpitë tuaja të cilat siç ju kemi thënë janë tuajat, janë pronë në hipotekë që mund ta trashëgoni shisni jepni me qira, ashtu si çdo pronar tjetër.
Nuk i keni askujt asnjë detyrim. Nuk keni për të paguar asnjë qindarkë. Keni vetëm detyrimin të gjelbëroni oborret dhe të mos ziheni ku mbaron pjesa ime e pjesa jote, sepse disa nuk paskan as gardhe. Po e mbajtët gjelbërimin si pronë të përbashkët, do ti bëni nder fëmijëve tuaj sepse janë hapësira që mund të bëhen bahçe fantastike me pemë frutore. Frutat e të cilave mund ti ndani në ca të kuqe ca blu si të doni. Sepse i dhashë dorë një demokrati për shtëpinë e re dhe ishte i mërzitur se i iku partia.
Shpinë kishim detyrën e ta dhamë. Partinë nuk kishim detyrë ta mirëmbanim, shih e bëj mos gjen një parti tjetër. Po nuk gjete e kemi derën hapur dhe demokratët i mbajmë mirë, i japim nga 2 3 shtëpia, siç ishte kryetari i Partisë Demokratike në një njësi në Farke se ishin 4 kurorë. Shtëpitë ia ndërtoi qeveria socialiste
Dua t’u uroj çdo të mirë dhe më vjen mire që 300 banorë të tjerë do hyjnë në këto shtëpi që nuk janë thjeshtë strehë por banesa në një komunitet njësoj si resortet e atyre që janë më të kamur. Keni edhe parking e nuk i shkoni me makinë tek dera e komshiut. Do keni edhe qendrën shëndetësore edhe kopshtin edhe çerdhen dhe patjetër që siç e dini keni edhe tokën aty ku e kishit në shpitë që u prishën nga tërmeti. Është toka juaj dhe nuk jua merr kush.
Fjala e dhënë në fillim tashmë është fakt. Nga tërmeti i cili dëmtoi shumë rëndë një pjesë të madhe të banorëve dolëm më të fortë sepse të gjitha familjet që humbën shtëpinë janë më të pasura. Kanë prona si këto shtëpi që vlejnë më shumë se ato që humbën. Në komunitete ka më tepër mundësira shërbimi për të moshuarit me qendrën shëndetësore dhe për prindërit me kopshtet e çerdhet. Janë afër 100 fëmijë me shërbim tek dera e shtëpisë.
Nuk do ndodhte sikur mos të kishim bërë një program me bazë kushdo që ka humbur shtëpinë do e marrë të renë falas. Këtë nuk e bëjnë shtetet e tjera, Itali, Greqi, Turqi nuk japin shtëpi falas, japin shtëpi me kredi të buta. Ne e kemi bërë programin 100 përqind falas. Për këtë arsye shumë familje mbase janë në ndihmën ekonomike nuk kanë kokëdhëmbie se si do shlyejnë bankat. Ka disa që thonë se duheshin bërë më shpejt. Në Itali e Greqi sa vite kanë familjet që presin të marrin kompensimet e të kthehen në shtëpi pas tërmeteve. Deri në 15 vjet. Është një nga 7 ekonomitë më të mëdha, dhe ka pas 15 vitesh ende familje që jetojnë në kabina. Ne nuk jemi më të pasur e më të zotë, por i bëmë falas pikërisht se nuk jemi më të pasur”, tha Rama.