Fermerët e fshatit Drenovicë të njësisë administrative Dimal, në qarkun Berat, kanë shtuar aktivitetin bujqësor, ndërsa vitet e fundit po zgjerojnë gjithnjë e më shumë investimet në serra.
Kryeministri Edi Rama publikoi sot, pamje nga fshati Drenovicë, ku shihen fusha të tëra të ‘pushtuara’ nga serrat dhe ku çdo pëllëmbë tokë e kësaj zone duket e mbjellë me pemë dhe prodhime të tjera bujqësore.
“Këto pamje nga Drenovica e Beratit reflektojnë më së miri Shqipërinë e punës, e cila edhe në këta muaj të vështirësuar nga pasojat e luftës në Ukrainë, ka vazhduar të rrisë prodhimet dhe eksportet bujqësore”, tha Rama.
Drenovica është një nga zonat më prodhuese, e cila ka edhe eksportin më të madh në treg për prodhimet e serrave.
Skemat e subvencionit në bujqësi dhe programi IPARD, janë një fakt konkret i rritjes dhe zhvillimit të bujqësisë, në mbështetjen që i adresojnë fermerëve dhe sipërmarrjeve që operojnë në këtë sektor.
Me mbështetjen e AZHBR-së, vitin e fundit janë ndërtuar 78 serra të reja diellore moderne të teknologjisë së lartë në 12 bashki të vendit, disa prej të cilave janë shndërruar në komplekset më të mëdha të serrave krahasuar me vendet e rajonit. Konkretisht për kultivimin e fidanëve të perimeve, apo edhe prodhimin e perimeve të freskëta, siç janë ato Fier, Berat, Lushnjë e Divjakë.
Me mbështetjen e AZHBR nëpërmjet Programit IPARD, krahas naftës pa taksa, fermerët gjithashtu janë mbështetur të investojnë në ndërtimin e serrave diellore të automatizuara, që ka nxitur punësimin, ka ndikuar në rritjen e prodhimit për eksport dhe rritjen e të ardhurave për familjet rurale.