Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi mori pjesë në takimin e Grupit të Kontaktit për Ukrainën, i cili u mbajt nëpërmjet videotelekonferencës.

Ky takim u zhvillua nën drejtimin e Sekretarit të Mbrojtjes së SHBA, z. Lloyd Austin dhe është në vijimësi të takimit që u mbajt në bazën ajrore të Ramstein, në Gjermani më 26 prill 2022.

Ashtu si në takimin e parë të datës 26 prill edhe në këtë takim morën pjesë ministra të Mbrojtjes dhe përfaqësues nga afro 44 vende të ndryshme. Pjesëmarrësit u përditësuan mbi situatën aktuale në Ukrainë, progresin e deritanishëm të donacioneve si dhe koordinimet përkatëse për sa i përket përmirësimit të kapaciteteve mbrojtëse të Ukrainës.

Ministrat dhe organizatorët nënvizuan rëndësinë që mbartin takime të kësaj natyre, duke ripërsëritur faktin se vetëm nëpërmjet konsultimeve të këtyre niveleve, punës së përditshme dhe koordinimeve të vazhdueshme, do të arrijmë të mbështesim Ukrainën sa dhe si duhet, në këtë përpjekje ekzistenciale të tyre.

Ministria e Mbrojtjes konfirmon edhe një herë mbështetjen dhe angazhimin e Shqipërisë në dimensionin politiko-diplomatik, humanitar dhe atë praktik ushtarak.

Takimi i radhës i Grupit të Kontaktit për Ukrainën u ra dakord të mbahet në mes të muajit qershor, kur pritet edhe një mbledhje e ministrave të Mbrojtjes të NATO-s.