Vladimir Putin nuk mori pjesë në ndeshjen vjetore të hokejit në akull, në një festival në vendpushimin bregdetar rus të Soçit, në anën lindore të Detit të Zi.
Lideri rus merrte pjesë thuajse çdo vit, duke shënuar disa gola. Mungesa e tij këtë herë vjen në vazhdën e një sërë diskutimeve për gjendjen e tij shëndetësore.
Këtë vit, teksa pritej të merrte pjesë në garë, ai zgjodhi të dërgonte një mesazh të filmuar duke u uruar të gjithë sportistëve “fat në akull dhe le të fitojë më i miri”, pavarësisht se u raportua, se ai ishte në Soçi të martën, ditën kur u zhvillua ndeshja.
Daily Mail raporton se kjo është vetëm hera e dytë në një dekadë që Putini mungon në festivalin e Soçit, duke shtuar se mungesa e tij e parë i atribuohet problemeve shëndetësore.
Vlen të përmendet se vetëm një vit më parë, në maj 2021, kur ai kishte marrë pjesë normalisht në festivalin e akullit, Putin ishte mburrur se hokej po i jepte jetëgjatësi, me pak fjalë, duke përdorur paraqitjen e tij në ndeshje për t’iu përgjigjur pëshpëritjeve që dhe më pas qarkulluan rreth gjendjen e tij shëndetësore.
Megjithatë, mungesa e tij në festivalin e akullit këtë vit shton thashethemet për shëndetin e tij të dobët, i cili, sipas Daily Mail është rënduar pas pushtimit të Ukrainës.