Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, (AKU) po intensifikon punon në çdo drejtim për rritjen e sigurisë ushqimore. Orët edukative, pjesë e Fushatës Kombëtare për ndërgjegjësimin e të rinjve nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, këtë herë janë ndalur larg qendrës së Tiranës, pranë nxënësve të shkollës 9 vjeçare “Fehti Vogli”, Baldushk.

Specialistët e AKU-së, gjatë bashkëbisedimit që zhvilluan me fëmijët, vunë theksin në rëndësinë e sigurisë ushqimore, leximin e etiketës, afatin dhe mënyrën e përdorimit të produkteve ushqimore. Fëmijët shfaqën interesim për të gjitha hapat e njëpasnjëshëm të një ushqimi, nga prodhimi primar deri tek konsumimi.

AKU do të vijojë të jetë e pranishme pranë shkollës së Mesme të Bashkuar “Fehti Vogli”, me qëllim ndërgjegjësimin e të rinjve për vëmendje të shtuar drejt ushqimit të shëndetshëm dhe të sigurt.