Nga Jakin Marena
Shqiptarët dhe ndërkombëtarët presin që drejtësia e re t’i japë fund pandëshkueshmërisë së zyrtarëve të lartë në Shqipëri dhe vendi më në fund të gjejë paqe.
Dhe që SPAK e Gjykata e Posaçme të quhen funksionale dhe të kenë “hallall” investimin e madh amerikan dhe europian, mbështetjen politike e financiare të mazhorancës aktuale apo dhe mbështetjen mbarëpopullore në këtë vend, të gjithë shqiptarët kanë në mendje se ky institucion duhet të merret me dy emra, të cilët duhej të kishin dalë me kohë dhe vakt para drejtësisë: Sali Berisha dhe Ilir Meta.
Madje dhe kur kalojnë nëpër mend drejtësinë e re, ajo merr kuptim për shqiptarët, përpos të tjerave, vetëm kur në “majë” të piramidës së hetimeve të SPAK qëndrojnë ish kryeministri dhe aktualisht kreu i shumicës së demokratëve Sali Berisha dhe presidenti aktual, njëherësh kreu i LSI dhe zyrtarisht pas 25 korrikut, Ilir Meta.
Bashkë me ta, edhe me dosjet e rënda të tyre në këto vite të post-komunizmit, ku referuar vetëm akuzave që kanë hedhur ndaj njëri tjetrit, sa herë kanë qënë të zemëruar mes tyre, ato mjaftojnë sëpaku për të filluar një hetim dhe me kryesisht nga drejtësia e re shqiptare.
Por një gjë e tillë nuk ka ndodhur dhe nuk ka gjasa që të ndodhë. Arsyet janë të shumta, dhe nuk bën sakrilegj as kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, i cili e përmend heshtjen e SPAK si dhe Gjykatës së Posaçme ndaj këtyre akuzave dhe personave përgjegjës të tyre.
Për hir të së vërtetës dhe ditën e sotme Edi Rama nuk ka thënë në thelb asgjë të re. Vetëm ndoshta ka artikuluar më bukur dhe në mënyrë të paanshme atë që mendojnë dhe kanë shprehur gati 90 përqind të shqiptarëve, në vigjilje të mbushjes plot tre vite që nga ngritja e SPAK.
E kemi thënë dhe herë tjetër, e tha dhe kryeministri Rama dhe ministri i Drejtësisë Ulsi Manja, se për prokurorët dhe gjyqtarët e mbetur në Vetting, nuk ka nevojë për kallzim, pasi sistemi zinxhir i ngritur që me ndryshimet në Kushtetutë për ngritjen e institucioneve të drejtësisë së re, nuk përfshin në asnjë hallkë të saj partitë politike dhe aq më pak mazhorancën në pushtet. Ciladoqoftë ajo.
Eshtë cikël i mbyllur ky. KPK dhe KPA verifikojnë gjyqtarë e prokurorë në tre elementët e verifikimit, dhe nëse nuk i kalon këto, afër 200 prej tyre kanë mbetur në “rrjetën” e vetingut dhe kryesisht për shuma dhe pasuri marramendëse të pajustifikuara, dosja tërhiqet menjëherë nga organet e hetimit, SPAK e Prokuroritë për të kopsitur më tej hetimet, për të gjetur ndonjë vilë tepër të pajustifikuar. Nuk bëhet fjalë për mollë por për vila mbi 200 mijë euroshe. Pastaj dosja e kopsitur çohet në Gjykatën e Posaçme, duke u mbështetur dhe në ligjin antimafia e të pastrimit të parave dhe mbyllet cikli. Kaq e thjeshtë është puna, s’ka nevojë për kallëzime politike sikurse bën deklarata prej zorit SPAK. As të lexohet mes rreshtave se çfarë thonë ndërkombëtarët, duke i parë ato sipas interesit dhe komentuar jashtë kontekstit.
Për hir të së vërtetës asnjë prej anëtarëve të SPAK apo të Gjykatës së Posaçme nuk guxon të hetojë apo të gjykojë këta njerëz të drejtësisë, të cilët në vend që të bënin drejtësi, bënë maskarallëqe nga fillimi e deri në fund, deri kur u përjashtuan nga sistemi. Njëherësh duke shtuar pasuri pafund, aq sa ka gjyqtarë e prokurorë që kanë deri në 800 mijë euro të pajustifikuara apo 4-5 vila e shtëpi të pa deklaruara dhe të pa mbuluara nga burimi i të ardhurave të tyre. Rrogë shteti hesapi dhe të gjithë e dinë sa është niveli i pagave në Shqipëri.
Asnjëherë nuk guxojnë SPAK dhe Gjykata e Posaçme jo vetëm për faktin se disa syresh i kanë vilat afër vilave të “peshkaqenëve” të korrupsionit të zyrtarëve të lartë në Lalz, por sepse shumë prej kandidatëve për të qënë prapa hekurave të burgut nga gjyqtarët e prokurorët e përjashtuar nga vettingu, janë të lidhur me një mijë e një fije me politikën e së shkuarës. Me një fjalë janë ata që kanë vendosur lidhje të “shkurtër” me Berishën dhe Metën, “babën”dh e “nënën” e kapjes së drejtësisë.
Dhe nëse dikush nga anëtarët e SPAK guxon dhe merr nën hetim ndonjë “benjamin” të Berishës dhe Metës, “dinozaurëve” që kanë dominuar politikën në këtë vend për më se 30 vite me radhë, atëherë linçimi ndaj drejtësisë së do të jetë i garantuar. Sepse nuk pranojnë as dënim dhe as cënim këta prokurorë dhe gjyqtarë të përkëdhelur nga Berisha dhe Meta të mbetur në vetting. Mjaft që pranuan largimin nga puna dhe sistemi i drejtësisë. Ndërsa nëse do të përballeshin me drejtësinë, menjëherë do të ‘hapnin’ gojën e do flisnin për privilegjet dhe heqjen e “lakut” nga fyti më se njëherë për këta dy armiq të drejtësisë, njerëzve të tyre apo atyre që i “furnizojnë” më para.
Nëse ndokush ka ndonjë dilemë nëse Berisha dhe Meta janë të dhunshëm ose jo me pjestarët e drejtësisë, anëtarët e SPAK dhe të Gjykatës së Posaçme kruspullosen sa herë “sokëllijnë” në publik këta dy politikanë, le t’u referohemi tre rasteve më pikante, mes rasteve të shumta që janë shfaqur tërë këto vite.
Gjithkujt mund t’i kujtohen vrasjet e 4 demonstruesve më 21 janar 2011 përballë kryeministrisë nga Garda e Republikës, e urdhëruar nga Sali Berisha. Dhe në memorien e shqiptarëve ende nuk janë shuar akuzat dhe kërcënimet ndaj Prokurorës së Përgjithshme të atëhershme Ina Rama, të cilën kryeministri i asaj kohe Berisha e kishte cilësuar “Silvia Konti” shqiptare ditën e miratimit në Kuvend, një përqasje me personazhin kryesor të filmit italian anti-mafia të viteve të para të ‘90-tës, “Oktapodi”.
Por sapo Ina Rama dërgoi zyrtarisht fletë-arrestet për kreun e Gardës dhe gardistë të tjerë më 21 janar, me urdhër të Berishës kreu i policisë së shtetit në atë kohë Hysni Burgaj, urdhëronte numri dy i kësaj policie dhe ish badigard i Berishës, Agron Kuliçaj realisht, refuzoi urdhërin e prokurorisë. Dhe jo vetëm kaq. Për dy ditë me radhë u zhdukën provat, prokurorët u përzunë nga vendi i krimit, nga shqyrtimi i kamerave të sigurisë së kryeministrisë, që u fshinë, dhe u bënë veprime të tjera antiligjore.
Por Berisha nuk u mjaftua me kaq. Menjëherë sapo refuzoi mandat-arrestet për gardistët, zhduku provat dhe mori veten nga paniku, akuzoi kryeprokuroren e atëhershme Ina Rama si pjesë e “grushtit të shtetit” duke e cilësuar madje dhe “lavire bulevardi”. Pikërisht atë, “Silvia Kontin” e emëruar me votat e mazhorancës së tij. Pasi e degradoi në atë far feje, pas largimit, e la dhe pa punë Ina Ramën, duke përbërë në këtë mënyrë një precedent të rrezikshëm dhe tregues se si trajtohen prokurorët dhe gjyqtarët që bëjnë punë, nga zyrtarët e shtetit në këtë vend.
Po marrim rastin e dytë po me Berishën. Prokurori i ndjerë Xhevat Hana ishte i vetmi nga përfaqësuesit e prokurorisë që guxoi dhe veproi duke akuzuar katër ish drejtuesit e lartë të SHIK-ut të Bashkim Gazidedes, për rrëmbimin, torturimin, vrasjen dhe zhdukjen e veprimtarit shqiptar-maqedonas për çlirimin e Kosovës, Remzi Hoxha në Kune Vain të Lezhës. Që në atë kohë, për Remzi Hoxhën nuk është dëgjuar gjë, iu zhdukën dhe eshtrat.
Vetëm pse Remzi Hoxha, kishte filmuar rastësisht takimin trepalësh të ish presidentit Sali Berisha me homologët e tij në atë kohë Sllobodan Milosheviç të Serbisë dhe Kiro Gligorov të Maqedonisë në Shën Naum, kapet nga SHIK-u i Gazideses dhe pas torturave çnjërëzore u vdes në duar dhe i zhduket trupi.
Prokurori Xhevat Hana, pikërisht tre punonjësit e SHIK-ut mori nën hetim, duke zbardhur tërësisht dosjen e krimit të bërë nga ata dhe duke i dërguar në gjykatë, e cila dha dënime minimale për ta. Por ama i dërgoi para drejtësisë dhe kërkoi dënime, kaq kishte në dorë.
Por zbatimi i ligjit nga ana e Hanës pati pasoja të tmerrshme për vetë atë. Pas këtij hetimi fillon tatëpjeta e shëndetit të Xhevat Hanës. Kështu, nga gjysma e vitit 2011 te ai u shfaqen simptomat e një sëmundjeje misterioze, kishte këputje gjunjësh. U nda nga jeta në ditët e para të janarit të vitit 2012, ku gjithçka filloi dhe mbaroi nën qeverisjen e dytë të Sali Berishës. Kishte pasur dhe dosje të tjera të dorë. Shteti i Berishës nuk u kujdes as formalisht që ta dërgonte për vizitë jashtë vendit, gjë që u bë nga familjarët e tij me shpenzimet e veta. Por misteri i kësaj vdekjeje vijon të vërtitet si hije në ambientin shqiptar. Duke trembur dhe drejtësinë e re. Ndërsa Xhevat Hana kalbet nën dhê ka 10 vite pa marrë drejtësi nga drejtësia që i dha shpirtin e jetën!
Rasti i tretë është ai i ish drejtuesit të KED, anëtar i Gjykatës së Lartë Ardian Dvorani. I cili ka mbajtur mbi kurriz dhimbjen e humbjes së të vëllait në punishten e djalit të ish kryeministrit Sali Berisha në Gërdec. Por që përplasjen e kishte dhe e ka me Ilir Metën, presidentin aktual dhe kryetarin real të LSI. Që po aspiron të vijë në pushtet. Gjithë mllefi i Metës me Dvoranin, e ndihmon dhe Berisha herë pas here me akuza, nis me gjykimin e përgjimit të Dritan Priftit, ish ministrit të ndjerë të LSI, i cili kishte kapur me zë dhe figurë presidentin aktual, asokohe zv.kryeministër i Berishës, duke kërkuar ryshfet 700 mijë euro dhe me bllok në dorë për punësime të pamerituara dhe politike.
Dvorani nuk ishte dakord, duke e firmosur shënimin e tij, pasi ishte për një hetim më të thelluar, në mënyrë që gjykata të jepte një vendim të drejtë, gjë që solli dhe acarimin e Metës, i cili e përndoqi dhe kur u vu në krye të KED, dhe në Gjykatën e Lartë dhe poste të tjera në gjyqësor. Meta nuk iu nda as kur SHBA e shpalli “kampion të drejtësisë” krahas pak emrave në botë, dhe vazhdon dhe sot e kësaj dite përndjekja e Dvoranit nga Presidenti aktual. Madje duke e akuzuar dhe për pasuri të pamerituar, ndonëse dhe sot e kësaj dite jeton në një shtëpi të kohës së PPSH me divane të shtrembër të asaj kohe. Megjithatë kjo nuk e ka penguar Metën që ta çojë dhe në SPAK, por që sipas këtij institucioni të drejtësisë çështja ndaj tij është mbyllur.
I përmendëm këto tre raste për të treguar se SPAK dhe Gjykata e Posaçme janë të trembura nga Sali Berisha dhe Ilir Meta, të cilët askush të mos shpresojë se do të thirren ndonjëherë për të dhënë llogari për shpalljen “non grata”, “Gërdecin”, “21 janarin”, Rrugën e Kombit, aferën CEZ-DIA, përgjimin e Dritan Priftit apo akuza të tjera të këtij kalibri. Nuk e bëjnë dot, s’kanë guxim, megjithëse aty janë vënë për të qënë të pashantazhueshëm. Por frika nuk është krim, por as “kartabiankë” për të mbajtur vendin në mënyrë të pamerituar.
Ata sjellin nëpërmend fatin e Ina Ramës, Xhevat Hanës dhe të Ardian Dvoranit, dhe procesi i frenimit vepron menjëherë mbi ta sa përmenden hetimi i Berishës dhe Metës. Dhe që këta dy të fundit nuk mungojnë t’ua kujtojnë, qoftë dhe në rastin e fundit me gjyqtaren e apelit që shqyrton ankimimin e Alibeajt për Kuvendin e Berishës, e cila po “kryqëzohet” nga Rithemelimi.
Në fund të herës, ajo që mund të themi është që drejtësia e re ka nevojë për njerëz të drejtë e të pashantazhueshëm, që kanë guxim e këlçe. Pra disa “Falkone” apo “Borselino” në miniaturë të paktën, dhe jo për dhj*****në. Atëherë merr kuptim reforma në drejtësi dhe drejtësia e re.