Gjykata e Posaçme ka shtyrë për më 19 korrik gjyqin për ish anëtarin e Gjykatës Kushtetuese Fatos Lulo, i cili akuzohet për mosdeklarim dhe fshehje të pasurisë.
Shkak për këtë vendim është bërë mosparaqitja nga SPAK e ekspertizës së kërkuar nga Gjykata mbi bilancin e të ardhurave dhe pasurisë së Lulos.
Pak javë më parë SPAK kaloi për gjykim, ish-anëtarin tjetër të Kushtetueses Bashkim Dedja me të njëjtat akuza.
3 herë është kthyer nga togat e zeza dosja në ngarkim të ish-zyrtarit.
Për herë të parë është bërë më 16 shtator të vitit të kaluar, ku Gjykata e Posaçme i ktheu SPAK dosjen e Lulos dhe kërkonte thellim të hetimeve pasi konstatoi të meta të mëdha. Pas kësaj me të njëjtin argument dosja u kthye edhe dy herë të tjera, ndërsa këtë të hënë u vendos që ti jepet Prokurorisë së Posaçme një muaj e gjysëm kohë për të përgatitur akt-ekspertizën, gjë e cila ishte planifikuar të paraqitej sot.
SPAK e akuzon Fatos Lulon për fshehje të pasurisë gjë e cila çoi në sekuestrimin e pronës së tij.
Disa muaj më parë Gjykata e Posaçme pranoi kërkesën e prokurorëve të SPAK dhe vendosi sekuestro mbi pasurinë në zotërim të Fatos Lulos, me sipërfaqe 172 m2, e llojit njësi/dyqan, e ndodhur në rrugën e Durrësit, Tiranë.
Ndërkohë ish-gjyqtari i Kushtetueses nuk arriti të kalonte as vettingun.