Nga Mero Baze/

Edi Rama padyshim që do të përbënte një skandal real në një vend perëndimor, me qëndrimin qortues ndaj një institucioni të drejtësisë si SPAK. Edhe pse ai është kryeministri më i përmbajtur në historinë e 30 viteve në reagimin ndaj drejtësisë, duke mos komentuar vendime gjykatash edhe për bashkëpunëtorët e tij më të afërt, nuk është se ka të drejt ti soset durimi një ditë dhe të shpërthej. Një nga dënimet e të qenit pushteti i parë është dhe të durosh pushtet e tjera. Sidomos ato për të cilat ke kontribuar vet.

Dhe në këtë pikë jam dakord me reagimin e SPAK që thotë se ne reagojmë kryesisht mbi dosjet e ofruara dhe faktet që i çojnë drejtësisë. Me disa përjashtime të vogla jo për çështje shumë të ndjeshme, të gjithë ministrat e Edi Ramës dhe vet Edi Rama e kanë konsideruar si punë të bezdisshme denoncimin me fakte të paraardhësve të tyre. Nën parimin se nuk është mirë të denoncosh paraardhësit, thuajse nuk ka asnjë denoncim serioz për çështjet më të bujshme korruptive të administratës Berishës ndërkohë që familja Berisha vazhdon pastron paratë në sytë e të gjithëve, me mediat e tyre, me bizneset e paverifikuara që presin fatura sikur shesin boronica dhe brekë të shtrenjta në bllok. Administrata e Edi Ramës është gardiane e tyre, gjë që nuk do ndodhte qoftë dhe për arsye primitive në kohën e Berishës.