Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg deklaroi sot se është i bindur se kundërshtimi i Turqisë ndaj anëtarësimit të Suedisë dhe Finlandës në aleancën e mbrojtjes perëndimore mund të zgjidhet. Stoltenberg tha gjatë një fjalimi në Forumin Ekonomik Botëror (WEF), në Davos se aleanca duhet të ulet dhe të gjejë një rrugë përpara, duke shprehur bindjen se kjo do të ndodhë shumë shpejt.
Turqia ka kundërshtuar kërkesën e Suedisë dhe Finlandës për anëtarësim në NATO duke përmendur shqetësime për sigurinë, dhe akuzuar Stokholmin për mbështetjen e grupeve terroriste, duke iu referuar milicisë kurde të Njësive të Mbrojtjes Popullore (YPG) në Sirinë e afërt. Forcat turke të sigurisë shpesh përleshen me YPG përgjatë kufirit dhe në Siri. Ankaraja beson se grupi është i lidhur me një kryengritje më të gjerë.
SHBA-ja, nga ana tjetër ka bashkëpunuar ngushtë me YPG-në në Siri, duke e konsideruar atë një aleat kyç në luftën e saj kundër milicisë ekstremiste, Shteti Islamik. Suedia dhe Finlanda, ndër të tjera, vendosën gjithashtu kufizime në eksportet e armëve në Turqi pas një ofensive ushtarake turke kundër YPG-së në vitin 2019, duke zemëruar Ankaranë. Turqia është ankuar gjithashtu se të dy vendet kanë lejuar operacione nga Partia e ndaluar e Punëtorëve të Kurdistanit.