“Gazment Bardhi lufton për të shpëtuar shpirtin e tij”. Kjo ka qenë deklarata e Sali Berishës gjatë një komunikimi me mediat, si një kundërpërgjigje për Gazment Bardhin, duke shtuar se ky I fundit duhet të zbardhë rolin e tij në ngjarjen e Elbasanit ku u vra Pjerin Xhuvani.

I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i PD-së, ku në një postim në rrjetet sociale, shkruan se e dënon me forcë përdorimin e një ngjarje të rëndë për interesa të Sali Berishës. PD në rrjetet sociale shkruan se është e pafalshme të shohësh se si Sali Berisha mbron bandat e Elbasanit duke shtuar se ish-kryeministri është peng i tyre, sepse i përdori kundër demokratëve në tentativën e tij për të marrë peng PD.

DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE TË SHQIPËRISË:

PD dënon me forcë përdorimin e një ngjarje të rëndë për interesa të Sali Berishës.
Është e pafalshme të shohësh se si Sali Berisha mbron bandat e Elbasanit edhe pse ai tashmë është peng i tyre, sepse i përdori kundër demokratëve në tentativën e tij për të marrë peng PD.
Për hallin e tij, Sali Berisha bëri koalicion edhe me Aqif Rakipin, Tom Doshin dhe Vangjush Dakon. Këtë e dinë gjithë demokratët dhe gjithë qytetarët e Shkodrës, Elbasanit dhe Durrësit. Për hallin e tij, Sali Berisha kërkon të shkatërrojë PD-në dhe ta izolojë atë nga çdo partner ndërkombëtar.
Siç po shihet çdo ditë në këtë sipërmarrje, ai ka partner kryesor Edi Ramën.
Mjafton të shikoni sot vendimin e Komisionit të Ligjeve, për të kuptuar se si Edi Rama është aleati i Sali Berishës. Ata kanë halle të përbashkëta dhe për hallet e tyre duan të bëjnë kurban PD-në.

Kujtojmë se në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve, Bardhi tha se një prej kandidaturave, ai i Simon Mirakës është propozuar nga Berisha.

“Jeni të pafytyrë se keni bërë një betim që nuk votoni asnjë person të propozuar nga non grata, ja tek e keni firmën, sapo votuat një person që është propozuar nga non grata, po ju tregoj se çfarë përfaqësoni ju, ata njerëz që tjetër thoni dhe tjetër bëni. Jeni betuar ju, keni 6 muaj, që do rrëzoni çdo dokument që vjen nga non gratat, shpjegojeni votën tani”, u shpreh Bardhi.