Shqipëria ka nënshkruar ditën e sotme një memorandum mirëkuptimi për një bashkëpunim me një grup të njohur amerikan dhe një tjetër bullgar në lidhje me Termocentralin e Vlorës. Kryeministri Edi Rama e ka konsideruar këtë një hap të rëndësishëm drejt përmbushjes së vizionit Shqipëria 2030 si eksportuese neto e energjisë. Sipas kreut të qeverisë, furnizimi me gaz përmes terminalit të ri që do të ngrihet në Vlorë po zgjon interesa të shumanshme. Në ceremoninë që u zhvillua ditën e sotme, mori pjesë edhe ish-Sekretari i Shtetit, Mike Pompeo.
Ndërkohë, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, duke iu referuar zhvillimeve të fundit gjeopolitike tha se e kanë bërë vendin tonë në një pozicion më të fortë. Sipas Ballukut, hapi që u hodh me skepticizëm për TEC-in e Vlorës, sot po kthehet në një nga projektet më të rëndësishme të rajonit dhe Ballkanit.
“Është një moment i shënuar për një nga projektet tona më të rëndësishme dhe strategjike që ka të bëjë me gazifikimin e Shqipërisë duke iu referuar projektit të Termocentralit të Vlorës, të pjesës gazifikuese të portit lundrues që do të ndërtohet në Vlorë dhe padyshim të një hapi të madh që po e hedhim duke e shndërruar nga një projekt që kishte të bënte vetëm me vendin tonë, nga një projekt lokal në një projekt rajonal. Kemi pasur një shprehje, dëshire për bashkëpunim nga Kosova dhe RMV për t’u bërë pjesë e këtij projekti duke e kthyer në një projekt të rëndësishëm rajonal. Projektit tonë i afrohen edhe partnerë të tjerë shumë të njohur në SHBA dhe ne sot ndihemi shumë të nderuar që të kemi interesin e tyre për të bashkëpunuar me ne dhe për të firmosur një memorandum mirëkuptimi për nisjen e një pune të përbashkët për ta zhvilluar këtë projekt edhe më tej nga çfarë ne kemi në bussines planin e sotëm. Albgaz është angazhuar për t’i dhënë një hap më tej këtij bashkëpunimi duke konkretizuar sot me një memorandum për të nisur që këtu hapa konkrete në zhvillimin e një projekti të përbashkët pune, ku na bashkohet edhe Linden Group. Fakti që sekretari Popmpeo e mbështet këtë nismë dhe është këtu sot për të dëshmuar se do të jetë bashkëpunim serioz dhe në të ardhmen mund të kthehet në bashkëpunim real, i cili do të kontribuojë jo vetëm shtetet që përmenda, por edhe më tej siç është rasti i Overgas-it bullgar i cili sot për shkak të gjeopolitikës dhe zhvillimeve që po ndodhin po has vështirësi që padyshim në të ardhmen, do të mitigohen dhe do të zgjidhen përmes këtyre projekteve rajonale ku Shqipëria luan rol të rëndësishëm.
Nuk e fshehim faktin që të gjitha zhvillimet gjeopolitike e kanë bërë Shqipërinë në një pozicion më të fortë për shkak edhe të gjeografisë që ka, por mbi të gjitha për shkak të aderimit në NATO, por edhe marrëdhënies strategjike që kemi prej vitesh me SHBA. Ai hap që hodhëm me skepticizëm në fillim sot po kthehet në projektet më të rëndësishme të rajonit dhe Ballkanit”, tha ajo.
Kompania Overgas, ka shprehur interes për t’u furnizuar me gaz përmes Terminalit që do të ngrihet në Vlorë, një projekt me rëndësi të veçantë, i cili po bëhet realitet me kompanitë më të njohura amerikane.