Ministrja e Jashtme britanike, Liz Truss ka akuzuar Vladimir Putin se po përdor urinë si armë përmes bllokadës së Rusisë ndaj eksporteve të grurit ukrainas.

Ministrja e Kabinetit hodhi poshtë kërkesën e presidentit rus për heqjen e sanksioneve ndërkombëtare ndaj vendit të tij në këmbim të hapjes së një korridori humanitar për të lejuar rifillimin e dërgesave të grurit përmes portit të Odesës në Detin e Zi.

Rreth 22 milionë tonë drithëra janë bllokuar në Ukrainë, një nga prodhuesit më të mëdhenj të grurit në botë, si rezultat i bllokadës detare ruse.

Duke folur gjatë një vizite në Bosnje Hercegovinë, Truss tha se në thelb, Putin po përdor si armë urinë dhe mungesën e ushqimit mes njerëzve më të varfër në mbarë botën.

“Ne nuk mund të lejojmë që kjo të ndodhë. Putini duhet të heqë bllokadën ndaj grurit ukrainas. Ne do të bëjmë gjithçka me aleatët dhe partnerët tanë për të nxjerrë grurin nga Ukraina dhe për të furnizuar pjesën tjetër të botës”, tha ajo.

“Ajo që ne nuk mund të bëjmë është heqja e sanksioneve, e cila thjesht do ta bënte Putinin më të fortë në terma afatgjatë”, shtoi Truss.