Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka komentuar rikthimin e Sali Berishës në krye të Partisë Demokratike. Në një intervistë për TCH, Veliaj e cilësoi Berishën si personazh të së shkuarës, ndërkohë që Tirana tashmë kërkon të shikojë drejt së ardhmes.
“Një nga arsyet që s’ka pasur reagim nga PS është se është e njëjtë me shumicën e popullsisë që s’ka asnjë reagim për zgjedhjet në PD. Interes minimal përveçse ndoshta, disa mitingashëve.
Sali Berisha e nisi karrierën kur dikush lindi para 30 vitesh, sot ai person është bërë 30 vjeç, shikon Tiranën që zhvillohet, shikon një qytet me një ritëm të jashtëzakonshëm. Ne jemi Kryeqyteti Europian i Rinisë, jo Kryeqyteti Europian i Pleqërisë, sidomos i atyre të politikës.
Besoj se shumica e Tiranës, jo vetëm socialistët, duan që gjërat të shkojnë përpara, duan që gjërat të shikojnë nga e ardhmja, duan të kapin orët e humbura, vitet e humbura nga sistemi i parë i Sali Berishës gjatë komunizmit. Tirana është më e modernizuar se kurrë dhe sheh nga e ardhmja, jo nga e shkuara”, tha Veliaj.