Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, ka thënë se do të ketë financim shtesë për sistemin shëndetësor.
Paratë e akorduara, që vijnë si një fond nga Banka Botërore do të përdoren për të përmirësuar infrastrukturën në spitale dhe shërbimin e tyre.
“Kemi arritur marrëveshje për financim shtesë për sistemin shëndetësor. Është një projekt që vjen në kohën e duhur sepse jemi në një reformë të rëndësishme pas miratimit në Kuvendin e Shqipërisë, ku pjesë është dhe modeli i ri i autonomisë spitalore. Ajo do të sjellë efiçencë të shërbimeve. Kjo marrëveshje huaje, është marrëveshje që garanton vijimin e reformave.
Në aspektin e parë për rinovimin e infrastrukturës spitalore. Edhe pse në një periudhë të vështirë s’i kemi ndalur investimet. Sikurse materniteti i Lezhës, i Beratit, që kanë përfunduar vitet e fundit. Përfunduam spitalin pediatrik, kemi përfunduar spitalin pediatrik të Durrësit. Çelim javën tjetër spitalin pediatrik të Elbasanit. Kjo mbështetje financiare, do të vijojë mbështetjen për infrastrukturën spitalore.
Do të përfundojmë 4 spitalet rajonale ku po punohet për sistemin digjital. Janë bërë hapa përpara sa i përket shërbimeve online dhe ato shërbime që kanë reduktuar burokracitë. Jemi të bindur që ky projektligj që presim të kalojë në Kuvend do i hapë rrugën një faze të re të komponentit të rëndësishëm siç është menaxhimi i shërbimeve spitalore në vendin tonë”, tha Manastirliu.