Ndërhyrja ruse në Ballkanin Perëndimor rrezikon ta çojë rajonin përsëri në luftë, paralajmëroi sekretarja e Jashtme britanike Liz Truss, teksa i bëri thirrje Perëndimit që të mos e tolerojë Presidentin rus Vladimir Putin për pushtimin e Ukrainës.

Sipas medieve të huaja, Truss akuzoi Moskën se ka ushtruar një ndikim “keqdashës” mbi vendet që dikur ishin pjesë e Jugosllavisë me taktika të pista, gjatë një vizite që bëri ajo në Sarajevë, Bosnje dhe Hercegovinë.

“Historia tragjike e këtij vendi është një kujtesë e asaj që ndodh kur ne dështojmë t’i rezistojmë agresionit. Gjërat përkeqësohen, nuk bëhen më mirë”, tha ajo.

“Gjenocidi i Srebrenicës dhe rrethimi i Sarajevës ishin vetëm dy nga mizoritë që na lanë të tmerruar. Ne thamë kurrë më, jo më në Evropë. Megjithatë, ka shenja të ndërhyrjes ruse këtu sot, të cilat rrezikojnë të na zhytin përsëri në ato ditë të errëta”.

Ajo premtoi se Mbretëria e Bashkuar do të dyfishojë mbrojtjen e paqes në vend dhe do t’i rezistojë agresionit rus në Ukrainë dhe në Ballkanin Perëndimor, të cilin Putini e sheh si pjesë të sferës së tij të ndikimit.