Arsenal-i duket se është gati të bëjë një çmenduri për Gabirel Jesus, sulmuesi brazilian drejt largimit nga Manchester City, i cili kërkohet në Itali edhe nga Juventus-i. Sipas britanikes The Sun, Topçinjtë duan të djegin konkurrencën duke i ofruar futbollisti një rrogë të frikshme dhe të paarritshme për klubet e tjerë të interesuar.

Sipas burimeve të cituara nga e përditshmja angleze, klubi londinez duket se është i gatshëm t’i ofrojë një kontratë 4-vjeçare me 190 mijë sterlina në javë, një rritje e ndjeshme në krahasim me 110 mijë sterlinat që merr aktualisht, për një total prej 10 milionë sterlinash në vit (mbi 11 milionë euro).

Pas blerjes së Haaland nga City, hapësirat në sulmin e ekipit janë të mbyllura për brazilianin, i cili po kërkon një ekip ku të jetë titullar për sezonin e ardhshëm në mënyrë që të mos humbasë vendin në kombëtare për Kupën e Botës. Nëse kjo ofertë e Arsenal-it do të konfirmohet, Juventus do të duhet të dorëzohet dhe të dalë nga gara për sulmuesin, duke parë se përveç rrogës duhen paguar edhe 58 milionë eurot që City kërkon për kartonin.

I transferuar në 2017-ën te skuadra e Guardiola-s, Gabriel Jesus ka luajtur 315 ndeshje dhe ka shënuar 123 gola me klubin mes kampionatit dhe kupave, duke fituar një Kupë të Anglisë, katër Premier League, katër Kupa të Ligës dhe dy Superkupa të Anglisë.