Turqia dhe Rusia kanë arritur një marrëveshje paraprake për të zhbllokuar eksportet e produkteve bujqësore të Ukrainës nga një port kyç në Detin e Zi. Lajmin e bën të ditur Bloomberg duke cituar burme ndërsa shtohet se Kievi mbetet skeptik për marrëveshjen e propozuar.

Sipas raportimeve, zbatimi i planit ruso-turk nën kujdesin e Kombeve të Bashkuara do të lejojë heqjen e minave nga ujërat bregdetare në rajonin e Odessa dhe do të sigurojë dërgimin e sigurt të anijeve me grurë nga Deti i Zi në Detin Mesdhe.

Në veçanti, Turqia ofroi ndihmë në pastrimin e ujërave të Ukrainës dhe përcjelljen e anijeve me ngarkesa drithi për eksport. Ankaraja, të cilën Ministri i Jashtëm rus Serghei Lavrov do të vizitojë të mërkurën, gjithashtu shpreson që miratimi i këtij plani nga Kombet e Bashkuara siguron zbatimin e sigurt të tij.

Në të njëjtën kohë, autoritetet turke planifikojnë të krijojnë një qendër në Stamboll që do të koordinojë dhe monitorojë zbatimin e misionit. Megjithatë, sipas burimeve shton Bloomberg, Ukraina nuk mori pjesë drejtpërdrejt në negociatat ruso-turke.