Java e ardhshme duhet të jetë shumë e rëndësishme te Barcelona. Bordi i drejtorëve, i kryesuar nga Joan Laporta do të aktivizojë të parën nga levat që duhet të shpëtojnë situatën financiare të klubit dhe të forcojnë skuadrën e drejtuar nga Xavi Hernández, me synimin për të luftuar për të gjithë titujt pas tri sezonesh radhazi.
Barça finalizon detajet për të aktivizuar transferimin e 10% të të drejtave televizive të Ligës për 25 vite. Klubi Blaugrana do të sigurojë pak më shumë se 200 milionë euro, fakt që do t’i lejojë ta mbyllë këtë sezon me fitime dhe të ketë likuiditet për të përballuar operacione të ndryshme.
Me aktivizimin e levës së parë, Barcelona do të përshpejtojë disa rinovime dhe gjithashtu disa nënshkrime. I pari, ai i Robert Lewandowski, një objektiv prioritar për Xavi dhe drejtuesit sportivë të udhëhequr nga Mateu Alemany e Jordi Cruyff për të përforcuar sulmin Blaugrana. Polaku shënon 40 gola në sezon. Madje, në sezonin e fundit ka arritur shifrën e 50 golave, duke fituar “Këpucën e Artë”. Në shtatë sezonet e fundit, polaku ka arritur gjithmonë 40 gola.
Barça beson se Lewandowski tashmë ka bërë përpjekje të mjaftueshme, duke deklaruar publikisht në disa raste se dëshiron të largohet nga Bayern Munich. Ai i ka premtuar Barcelonës, me zotimin e Laportës, se do të bëjë gjithçka për të nënshkruar. Dhe tani ka ardhur koha për të nisur ofensivën përfundimtare për polakun, pasi Bayerni ka nënshkruar me sulmuesin e Liverpool, Sadio Mane.
Klubi Blaugrana do të ofrojë jo më pak se 40 milionë euro për sulmuesin polak, duke ditur që negociatat me klubin gjerman nuk do të jenë të lehta, pasi drejtuesit bavarezë kanë qenë gjithmonë kundër largimit të Lewandowskit, pro përmbushjes së kontratës së tij, e cila skadon më 30 qershor 2023.
Nëse planet e Barçës realizohen, Lewandowski mund të udhëtojë me skuadrën e Xavit në SHBA për turneun parasezonal. Atje, katalanasit do të përballen me Inter Miami, Real Madrid, Juventus dhe New York Red Bulls.
Është mbyllur marrëveshja mes Barçës dhe përfaqësuesit të lojtarit, Pini Zahavi. Lewandowski do të nënshkruante një kontratë 2-vjeçare, me opsion për një sezon të tretë në varësi të performancës së tij.