Robert Lewandowski ka shprehur vazhdimisht dëshirën për të ndryshuar ekip, ndaj nuk do ta rinovojë kontratën që e lidh me klubin bavarez deri në qershor të vitit 2023.
Klubi gjerman, i cili është munduar në çdo mënyrë për ta mbajtur, sipas gazetës “Bild” e ka kuptuar se tani nuk ka më asgjë për të bërë. Për këtë arsye do të ishte gati të ulej në një tryezë për të negociuar shitjen.
Kampionët e Gjermanisë, në fakt kanë frikë se lojtari mund të përdorë nenin 17 të FIFA-s dhe të lirohet për një shifër prej rreth 24 milionë eurosh, shumë më pak se sa mund të arkëtonte klubi gjerman nga një negociatë.
Klubi ka vendosur çmimin e shitjes në 40 milionë euro, ndërsa Barcelona, klubi në “pole” për sulmuesin polak, do të ndalej në 32 milionë. Pra, palët nuk janë aq larg njëra-tjetrës, ndaj së shpejti mund të gjendet një zgjidhje për t’i bërë të gjithë të lumtur.
Ndërkohë, Bayern Munich nuk ka qëndruar duarkryq dhe tashmë ka identifikuar profilin e duhur për të zëvendësuar Lewandowski. Ky është Sadio Mané, që nga grumbullimi i Senegalit ka konfirmuar se dëshiron të largohet nga Liverpool.