Deputeti i PS Petro Koçi komentoi zhvillimet brenda selisë rozë pas ceremonisë së 31-vjetorit të PS-së. Ai e konsideroi si normale dhe sjellje të civilizuar politike praninë e disa eksponentëve të LSI-së në ceremoni. Koçi e konsideroi si përgjegjësi personale faktin që disa figura lokale të socialistëve kanë përfunduar para drejtësisë.
“Mendoj që ishte ceremoni dinjitoze. Bashkohem me atë që nuk është jubile i plotë. Mendoj që ishte ceremoni e zakonshme, nuk ishte marrë përsipër të jepej ndonjë mesazh. Përgjithësisht kanë ardhur në festa të tilla, dikur ka ardhur edhe PD, z.Shehu ka qenë, z.Kosova ka qenë. Është një sjellje e civilizuar politike.
Mos harrojmë që pjesa kryesore e LSI vjen nga PS. Si teknologji e administrimit të partisë, mbetet partia më moderne dhe njëkohësisht tradicionale. Lidhur me faktin që ka pasur disa figura lokale në ndonjë rast edhe qendrore, që kanë përfunduar në bankën e drejtësisë, përgjegjësia është personale. Mendoj që në vitet 90’ kemi pasur një shoqëri ndryshe nga sot, ka më shumë pragmatizëm, më shumë infeksion.
Partitë politike janë detyruar të veprojnë në këtë lloj terreni. Ka qenë më e lehtë për ne, se sa sot që është më e komplikuar. Ndryshe nga PD, PS është një parti e vuajtur. Ka vuajtur për t’u formësuar, për të ecur. PD sa u formua fitoi pushtetin pa qenë parti e mirëfilltë. PD s’ka qenë asnjëherë parti e mirëfilltë, ka qenë një frymë, lëvizje”, tha ai. Deputeti i PS-së tha se ata që kanë keqadministruar apo janë përfshirë në raste korrupsioni duhet të shporren nga zyrat e shtetit. Ndër të tjera Koçi hodhi idenë që lista e abuzuesve në detyrë duhet të bëhet publike dhe të ashpërsohet kodi penal.
“Në rastin e Fierit, të hipotekës, shoh që është ndryshuar drejtuesi. Prandaj kam këmbëngulur që përtej ndryshimit të një drejtori, të shohim më thellë. Sikur fillin e një ankimimi të shohësh, e gjen ku çalon puna. Dikush që ka keqadministruar duhet të shporret nga zyrat e shtetit. Raste të tilla duhen kapur dhe duhen bërë publike. Është rasti për të bërë një listë me abuzuesit në detyrë, që mos kenë më shans të rikthehen në zyrat e shtetit. Edhe kodi penal duhet rënduar”, tha deputeti socialist.
Koçi vuri në dukje se sot është e vështirë që PS të konsiderohet një parti-shtet:
“Ne jemi djegur nga qulli dhe i fryjmë kosit sa i takon partisë-shtet. Mund të bëhet diçka më mirë për të strukturuar disa komitete apo komisione. Nuk është gjë që qëndron, është e vështirë t’i thuash sot PS-së, parti-shtet””, u shpreh ai. I pyetur a ka persona të fortë pas Ramës në PS, Koçi tha:
“Pse duhet të ketë persona të fortë?! Ky lloj presioni që akuzohet si parti-shtet, ka bërë që të lëshohet në disa parametra”. Sa i takon daljes në shitje të numrave të 3 milionë shqiptarëve, deputeti socialist beson se përgjegjës duhet të jenë individë të veçantë:
“Është detyra e Prokurorisë të zbulojë fajtorin. Unë besoj që për këto figura krimi duhet të kemi një kod penal edhe më të ashpër. Unë mendoj që duhet të jenë individë përgjegjës. Nuk e di nëse janë brenda institucioneve apo nga jashtë”.