Liderët e G7-s kanë “ngacmuar” presidentin rus Vladimir Putin të dielën ndërsa u ulën për të drekuar, ndërsa bënin shaka me foton e tij “të famshme” hipur mbi kalë, pa bluze. Drejtuesit e G7 janë mbledhur në një kohë kur lufta në Ukrainë është futur në muajin e pestë dhe Rusia po bombardon Kievin për herë të parë në disa javë.
“T’i mbajmë xhaketat? T’i heqim?” Pyeti kryeministri britanik Boris Johnson ndërsa ulej në tryezë me kolegët e tij udhëheqës të ekonomive më të mëdha në botë.
“Le të presim për foton”, tha kryeministri kanadez Justin Trudeau.
Zyrtarët po përpiqeshin të bënin një foto zyrtare të drekës me liderët e Kanadasë, Francës, Gjermanisë, Italisë, Japonisë, Mbretërisë së Bashkuar, Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian.
“Ne duhet të tregojmë se jemi më të fortë se Putini”, tha Johnson.
Trudeau më pas shtoi: “Do të dalim me gjoksin jashtë hipur mbi kalë.”
Ai po i referohej një fotoje të vitit 2009 ku Putin pozonte pa këmishë i hipur në një kalë në malet e rajonit siberian Tyva gjatë pushimeve. Më pas, Johnson dëgjohet në pamje duke thënë: “Duhet t’u tregojmë muskujt”.
“Kalërimi është më i miri”, tha presidentja e Bashkimit Evropian Ursula von der Leyen. Presidenti Biden ishte i pranishëm në drekë, por nuk u duk se mori pjesë në shakatë e bëra për Putinin.