Nga Frrok Çupi
Ça ishte ajo puna e qenit me lajmin? Ca vite të shkuara, u përhap një fjalë si teori gazetarie, që thoshte “The good news isn’t news”. (Lajmi i mirë nuk është lajm)… Erdhi një ditë që edhe kjo ‘shpikje’ u duk si limonadë. Domethënë nëse një qen kafshonte për vdekje njeriun në rrugë, ky nuk ishte më lajm. ‘I butë, shumë I butë!’, bënte buzët redaktori… Lajmi duhej shumë i zi.
Atëherë u gjet: Lajmi është kur njeriu kafshon qenin!
Kjo ishte ajo ‘puna e qenit’. Këto ditë në vendin tonë ka shteruar lajmi dhe kjo ka lidhje direkt me paradigmën: Njeriu e hëngri qenin; kjo ndodhi, tani nuk ka çfarë bëhet më keq!
Çfarë ka ndodhur me fatin e lajmit? A mos vallë duhet që njeriu të hajë dy qen?, apo që njeriu të hajë elefantin?
E mira nuk bën dot lajm. Atëherë le të kemi lajm të keq, por as këtë nuk e kemi. Me sa duket diçka ka ndodhur me fuqinë e së keqes?
Çfarë ka ndodhur?
1.
Nuk është më ai njeriu.
Ka shkuar, nuk është më njeriu, ai njeriu që merrte frymë në flluskën e së keqes. Mos mendojmë se e keqja ka shkuar; e keqja vjen rrotull, por nuk gjen publikun e vet. Tani normaliteti dhe pozitiviteti ndodhen në maxhorancë, atëherë ishte e kundërta. E shikoni çfarë primitivizmi reflektojnë grupimet e vjetruara politike, Rithemelim, PD, LSI, e ca të tjera. Këta kanë dalë bulevardit ‘me hu në krah’, në gjueti cilin të rrahin sot e cilin të pushtojnë nesër. Të ishte për një kohë të kaluar, të njëjtën gjë që bënë- atë do të bënin: Pushtimin e gjysmës së vendit më gjysmën tjetër, vjedhjen e 700 mijë euro sy për sy dhe fshehjen e dorës, refuzimin e baxhanakut dhe vrasjen e 26 të tjerëve, lidhjen me terroristët e botës, terror mbi opozitën dhe mbi zgjedhjet, groposjen e kufomave në një vend matanë Dajtit; mbi të gjitha shëmtimin e vendit.
E sa e sa mijëra të tjera…
Ka ndodhur ky fenomen: Ata që i bënë tmerret, ata janë këtu një për një; bëjnë kongrese, bëjnë komitete politike dhe kryesi, bëjnë sikur do të shembin botën në 25 korrik… Por ka ndodhur që ndërsa këta janë, nuk është më Shqipëria që ishte, as shqiptarët që ishin. Këta që mendojnë se kushedi çfarë janë, në fakt teksa kishin hyrë në flluskë, konsumonin korrupsionin e tyre, vjedhje dhe krime…, e ndërkohë u kishte ikur ‘Shqipëria e tyre’.
Prandaj nuk ka fuqi e keqja, se nuk është në tokën e saj. Dhe prandaj nuk kemi lajme.
2.
Tanimë koha ka mbaruar.
Edhe me autorët e së keqes ka ndodhur fundi, që është degradimi, siç është aq degraduese pamja që sjell paradigma me qenin e kafshuar nga njeriu. Ata kanë bërë gjithçka të keqe çfarë kanë mundur e kanë dashur. Gjatë gjithë kësaj periudhe të gjatë, lajmi është ndodhur aty, me ta, prezent; dhe është konsumuar gjithashtu. Tani ka ndodhur kjo: Në fushën e betejës kanë rënë si e keqja edhe lajmi!. Po të mos ishte degradimi si proces biologjik e moral, them se rrëzimi i të keqes do të ishte më me kosto për shoqërinë. Më qartë: Sikur Sali Berisha dhe Ilir Meta të ishin burgosur menjëherë, e keqja nuk do të binte atëbotë. Arsyet: E para, se lajmet ‘e qenit’ do të kishin marrë vrull të madh dhe do të ishin duke vrulluar edhe sot. ‘Lajmi i qenit të kafshuar’ do të kishte marrë energji edhe për një kohë më tej se sot, dhe sëmundja e shoqërisë do të kishte vazhduar.
Arsye e dytë: Të dy njerëzit që u vunë në krye të shtetit, do të thoshin se ‘ishim të mirë’, por ‘na i hoqën tubat e oksigjenit!’. Edhe kjo do të ishte kosto në një shoqëri si e jona, ku këta dy burra kishin lulëzuar ‘në pleh’. Burgu për ta do të ishte lule. Më parë se të vinte kjo ditë, këta dolën rrugëve. Burrat e shtetit dolën rrugëve dhe dëshmuan vetë sa vlenin e çfarë kishin qenë gjithë kohës. Nuk po them çfarë kishin qenë në dëmet penale, por tani po shfaqin turpin, që nuk është penal. Po shfaqen lëngaraqë, mashtrues, përdorues të pabesë të viktimave të tyre, njerëz rrëshqanthi, minorë, perversë, malinj dhe pa mend.
Mendoni sikur të ishin burgosur që në fillim, pak kush do të dinte sa poshtë i kishin pasur liderët.
3.
Do të bjerë ngjarja apo lajmi?
Pyetja sot bëhet edhe kështu: Nuk pyesim për ngjarjen, por pyesim çfarë do të ndodhë me lajmin?
Ngjarja ka nisur të kthehet në sensin e kohës dhe të publikut të ndryshuar nga publiku i ‘flluskës’. Po me lajmin si mund të ndodhë?
Bie fjala, ngjarjet… Ngjarjet, nga një kërcënim i Berishës dhe Metës se ‘do t’ia tregojmë qefin këtij populli po nuk na deshi!, tani është kthyer lajm të dështuar. Meta po dilte nga Presidenca me zulm të madh. Berisha po i bënte gati ushtrinë politike me PD të dominuar prej tij, dhe u bënë gati. Por u përmbys e tëra. Dje Europa deklaroi se nuk e pranon Partinë e Berishës, ra e keqja. Para pak kohë Shtetet e Bashkuara ka deklaruar se kurrë nuk bashkëpunon me partinë e Berishës. Kjo nuk kapërcehet. Zyra e presidentit të Republikës, prej më shumë se një vit ka zënë merimanga; askush nga aleatët nuk hyn në atë derë. Maxhoranca e vendit ka deklaruar se asnjë vendim i firmosur nga Berisha nuk hyn në muret e shtetit. Edhe ish- aleatët e afërm, kanë nisur të bëjnë ironi: ‘Eeej Ilir, t’i gjetëm 700 mijë euro’, ose ‘ Ej Sali, baba i Zenit”. Ka shkuar puna aty ku e keqja është zgërlaqur.
Çfarë do të ndodhë me lajmin? Tani që ra e keqja, them?. Do të heqë dorë nga teoria e ‘qenit’?
Sigurisht, do të jetë e vështirë për ta shkruar lajmin e mirë, edhe pse e ka para syve.