FIFA ka vendosur të zgjasë kohëzgjatjen e rregullave të vendosura për të mbrojtur të drejtat e profesionistëve që luajnë në klubet ruse dhe ukrainase. Këtë e ka bërë të ditur vetë organi më i lartë botëror i futbollit, i cili ka shpjeguar se si ky vendim pason ato të miratuara në mars.
Sipas këtyre dispozitave, lojtarët dhe trajnerët e lidhur me klubet e Federatës Ruse dhe Ukrainase, përveç rasteve kur është rënë dakord ndryshe me klubet e tyre, do të kenë të drejtë të pezullojnë kontratat e tyre të punës deri më 30 qershor 2023. Në këtë mënyrë, si lojtarët, ashtu edhe trajnerët në fjalë do të kenë mundësi të punojnë dhe të marrin rrogë në vende të tjera.
Gjithashtu u konstatua se të miturit që ikin nga Ukraina me prindërit e tyre për shkak të konfliktit të vazhdueshëm do të përjashtohen nga rregulli që ndalon transferimin ndërkombëtar të lojtarëve nën moshën 18 vjeç. FIFA njoftoi gjithashtu se do të vazhdojë të monitorojë situatën dhe të ndryshojë kuadrin rregullator sipas zhvillimeve në konfliktin luftarak të Ukrainës.