Gjykata e Lartë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) ka rrëzuar Roe v Wade, vendimin historik që dha të drejtën e abortit për gati pesë dekadash në SHBA. Në vendimin e së premtes, gjykata më e lartë e vendit vendosi se “Kushtetuta nuk jep të drejtën për abort”. Rikthimi i pritshëm i Roe-s kishte shkaktuar protesta dhe dënime të gjera në të gjithë SHBA-të, me avokatët e të drejtave të njeriut që thanë se miliona gra nuk do të kenë më akses në shërbimet e abortit. Më shumë se 5o shtete amerikane ka të ngjarë të ndalojnë abortin tani që precedenti ligjor i vitit 1973 është përmbysur, sipas grupit të të drejtave riprodhuese Guttmacher Institute, një lëvizje që grupet e të drejtave thonë se dëmton në mënyrë disproporcionale gratë me të ardhura të ulëta dhe komunitetet me ngjyrë.

Roe Wade i vitit 1973, u dha grave në SHBA një të drejtë absolute për një abort në tre muajt e parë të shtatzënisë dhe të drejta të kufizuara në tremujorin e dytë.
Vendimi i gjykatës në vitin 1973 u bazua në vendimin që, e drejta e një gruaje për të ndërprerë shtatzëninë vinte nën lirinë e zgjedhjes personale në çështjet familjare, siç mbrohet nga Amendamenti i 14-të i Kushtetutës së SHBA-ve. Vendimi erdhi pasi një grua beqare 25-vjeçare, Norma McCorvey – me pseudonimin “Jane Roe” – sfidoi ligjet penale të abortit në Texas që e ndalonin abortin si jokushtetues, përveç në rastet kur jeta e nënës ishte në rrezik.

Henry Wade ishte prokurori i përgjithshëm i Texas-it që mbrojti ligjin kundër abortit. Zonja McCorvey e ngriti rastin për herë të parë në vitin 1969. Ajo ishte shtatzënë me fëmijën e saj të tretë dhe pretendoi se ishte përdhunuar. Por çështja u refuzua dhe ajo u detyrua të lindte. Megjithatë, në vitin 1973, ankesa e saj u dërgua në Gjykatën e Lartë të SHBA-ve, ku ajo u përfaqësua nga Sarah Weddington dhe Linda Coffee, një ish-shoqe klase e Weddington-it nga Universiteti i Texas-it.

Kur Weddington argumentoi çështjen para Gjykatës së Lartë, ajo ishte vetëm 26 vjeç.
Rasti krijoi sistemin “tremujor” që u jep grave amerikane të drejtën absolute për abort në tre muajt e parë të shtatzënisë. Po ashtu, lejon disa rregullime nga qeveria në tremujorin e dytë të shtatzënisë. Si dhe deklaron se shtetet mund të kufizojnë ose ndalojnë abortet në tremujorin e fundit, pasi fetusi i afrohet pikës ku mund të jetojë jashtë mitrës. “Roe v Wade” konstatoi gjithashtu se në tremujorin e fundit një grua mund të bëjë një abort, pavarësisht çdo ndalimi ligjor vetëm nëse mjekët vërtetojnë se është e nevojshme për të shpëtuar jetën ose shëndetin e saj.