Një 39-vjeçar ka rënë në prangat e policisë ditën e sotme, nën akuzë për vjedhjen dhe përdorimin e të dhënave personale.

Policia e Tiranës ka njoftuar se ndalimi i 39-vjeçarit është bërë i mundur pas denoncimit të shtetases A.V, të cilës i ishin vjedhur të dhënat.

39-vjeçari hapte llogari me emrin dhe foton e saj në rrjetet sociale në mënyrë të vazhdueshme. Pas hetimeve u zbulua se denoncuesja nuk ishte viktima e vetme që i ishin vjedhur të dhënat, pasi 39-vjeçari e kishte bërë këtë gjë dhe me persona të tjerë. Ndërkohë, rezulton se ai ka qenë më parë i dënuar dhe për vjedhje

Njoftimi i policisë:

Tiranë

Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Username”, nga Seksioni për Hetimin e Krimit Kompjuterik.

Përdorte të dhënat e shtetasve të tjerë për të hapur llogari false në rrjete sociale, vihet në pranga 39-vjeçari.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Kompjuterik në DVP Tiranë, pas kallëzimit të bërë nga shtetasja A. V., se një shtetas hapte llogari në rrjetet sociale me të dhënat dhe fotot e saj personale, në mënyrë të vazhdueshme, organizuan punën për identifikimin dhe kapjen e autorit të dyshuar.

Në kuadër të operacionit policor të koduar “Username” u ndalua, për veprën penale “Falsifikimi kompjuterik”, shtetasi:

– E. M., 39 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për veprën penale “Vjedhja me dhunë”.

Pas verifikimeve të kryera nga specialistët e Krimit Kompjuterik ka rezultuar se ky shtetas ka hapur në mënyrë të vazhdueshme, llogari false në rrjetet sociale, me gjeneralitetet dhe fotot e shtetasve të tjerë.

Materialet procedurale për këtë rast i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, në bashkëpunim me Sektorin e Krimit Kibernetik në Policinë e Shtetit, është duke hetuar të gjitha rastet e denoncimeve nga qytetarët, për keqpërdorimin e të dhënave personale për hapjen e llogarive false në rrjetet sociale dhe çdo rast tjetër të falsifikimit kompjuterik, vepër penale për të cilën Kodi Penal parashikon dënimin me burgim nga gjashtë muaj deri në gjashtë vjet.