Avokati Saimir Vishaj ka bojkotuar grevën e Dhomës së Avokatëve të Shqipërisë, për të mos marrë pjesë në seanca gjyqësore për shkak të hartës së re gjyqësoret. Vishaj ka marrë sot pjesë në një seancë të GJKKO ndonëse vijon bojkoti i gjyqeve për shkak të hartës së re gjyqësore.
Në një prononcim për mediet, Vishaj u shpreh se është me detyrim të shkojë në seancë të GJKKO, ndërsa theksoi se është kundër bojkotit pasi klientët paguajnë për të marrë shërbimin.
Vishaj tha se, Dhoma e Avokatëve të Shqipërisë duhet ta dërgojë çështjen në Gjykatë Kushtetuese ndaj vendimit të KLGJ-së.
“Shumë prej seancave po shtyhen. Unë detyrimisht kam qenë në seancë ku kam pasur një objekt në GJKKO ku është detyrim paraqitja e avokatit, një objekt marrja e informacionit, revokim i masës së sigurisë. Që në momentet e para, me vendimin e Dhomës së Avokatisë nuk kemi qenë dakord për këtë mënyrë zgjidhje. Pajtohemi me të gjithë kolegët për shqetësimin për hartën gjyqësore, por mendoj se greva nuk është mjeti për të realizuar qëllimin. Dhoma e Avokatëve të Shqipërisë i ka të gjitha mundësitë dhe mjetet për t’u drejtuar gjykatës kushtetuese ndaj vendimit të KLGJ. Ne do i përgjigjemi kërkesave të klientëve tanë që kanë paguar për të marrë shërbimin, por mendoj që rruga që është zgjedhur për të bojkotuar seancat gjyqësore nuk është zgjidhje. Ky është një projekt pilot, ne kemi pasur përpara dhe harta gjyqësore ku është shkrirë gjykata e Gramshit, Librazhdit, Peqini, Kuçova dhe ka vijuar puna normal”, tha Vishaj.
Vishaj shtoi se Dhoma të bashkëpunojë me KLGJ, pasi Gjykata Administrative Lushnjë është pa kuptim, shkrihet dhe automatikisht ngrihet një gjykatë Apeli administrativ për jugun. Kjo është pa logjikë.
“Ka vend për shqetësime, por unë jam që mjeti më i mirë është kërkesa kundër vendimit në Gjykatën Kushtetuese nëse do legjitimojmë pa u kryer një vendim nga ekzekutivi që do të kryhet me VKM. Dihet që harta gjyqësore nuk do të miratohet me ligj nga Kuvendi, por mjafton VKM dhe firmosje nga kryeministri që çdo gjë të kalojë. Dhoma nuk është një dhomë private, dhomë private për të hequr licensa apo për të bërë presioni. Avokati mund të respektojë instancat por nuk mund të bëjë presion që të heqë licencën. Cili je ti që heq licencën? Nuk jam dakord. Ka dhe shumë avokatë që nuk janë dakord”, përfundoi Vishaj.