Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, Mirlinda Karçanaj informoi se “në 5 vjet, janë lëshuar 20 milionë dokumente me vulë elektronike, që do të thotë kohë dhe para e kursyer për qytetarët e bizneset”.
Në Konferencën Kombëtare të Antikorrupsionit, Karçanaj theksoi se pas 1 majit 2022, kur të gjitha shërbimet ofrohen online, kemi rritje të përdorimit të shërbimeve me 2.4 herë, ose 1.7 milionë më shumë se periudha paraardhëse.
“Kjo tregon se njerëzit i përdorin shërbimet dhe nuk kemi lënë askënd pa u shërbyer. Hapi pasardhës do të jetë ‘Siri’ i shërbimeve publike, duke filluar nga shërbimet me vulë digjitale”, shtoi ajo.
Sipas saj, “rrugëtimi për implementimin e revolucionit digjital ka qenë shumë i vështirë dhe kjo ka qenë reforma ndoshta më thelbësore dhe më e vështirë e tranzicionit shqiptar”.
“E kemi nisur me vetëm 14 shërbime online, ndërsa tani janë 1225 shërbime. 95% e të gjitha shërbimeve publike janë online, vetëm 5% kanë mbetur dhe janë ato që kanë nevojë për prezencë të personit”, tha ajo.
Sipas Karçanaj, “pjesa më e vështirë e këtij rrugëtimi ka qenë ndryshimi i mendësisë së administratës dhe qytetarëve”.
“Pak vite më parë ishte e pamundur për qytetarët dhe bizneset që ta mendonin se shërbimet mund të merreshin pa atë pirgun e letrave fizike që duhej të merrej derë më derë, në institucione të ndryshme, pa bakshishe dhe kohën e shpenzuar lart e poshtë. Punën më të mirë e kemi bërë me administratën si fillim që duhej të bindej se ky ishte drejtimi i duhur. Në 2014, kur ishte fillimi i punës për krijimin e shërbimeve online, qasja e administratës ishte vërtetë shumë problematike, sepse nuk e shikonin e-Albanian si një investim të përbashkët që duhej të rritej, të sigurohej, të përsosej nga pikëpamja teknike për t’ju shërbyer. Por shumë shpejt e kuptuan se shërbimet elektronike vetëm do t’u sillnin lehtësi”, tha ajo.
Karçanaj u shpreh se në platformën e ndërveprimit janë 55 sisteme që flasin me njëri-tjetrin në kohë reale për të dhënë 1225 shërbime online.
“Nuk kemi dataza të përbashkëta me të dhëna, por nëse duhet një dokument nga një sistem e dhëna vjen nga sistemi tjetër. E kemi nisur me digjitalizimin e shërbimeve dhe e kemi vazhduar me nënshkrimin elektronik e vulën elektronike. Risia e këtij viti në sistemin arsimor do të jetë dëftesa me vulë digjitale, por duhet të heqim dorë nga letrat e regjistrat dhe të konsiderojmë mjedisin digjital si ambientin e vetëm të punës”, tha ajo.
Në vijim, Karçanaj tha se “do të reformohen komplet shërbimet, do të bëhen më të thjeshta për t’u përdorur dhe do të automatizohet më shumë puna e institucioneve”.
Sipas saj, “të gjitha raportet e vlerësojnë Shqipërinë si më të mirën në rajon për sa i takon shërbimeve digjitale dhe jemi të 17-ët në botë, duke lënë pas edhe Italinë e Greqinë”.