Nga Ledi Shamku Shkreli
E njoh arsimin aq sa për të lexuar të dhëna krahasimtare e sidomos e njoh mirë procesin shkollor formues me gjuhë e kulturë, si këtu po edhe në Europë. Jetoj mes dy botësh shkollore, pra dij se ç’them.
Kjo maturë na dha qartas pasqyrën: 4 dhjeta në provimin e Gjuhë-Letërsisë karshi 362 dhjetave në matematikë. Dëgjova me kujdes çdo argument, çdo përdorim e shpërdorim politik, çdo hakërrim apo ankim pa analizë. (Testin e studiova, është korrekt).
Ndjesë, po e keni gabim! Të gjithë. Ky hendek mes gjuhes dhe matematikës ka vetëm një palë fajtorë: nuk është fajtore as Ministria e as Shkolla! Jo! Fajorët e vetëm jemi ne Gjuhëtarët. Pooo po! Ne! Gjuhëtarët i kanë qëndruar deri me sot krejt larg edukimit shkollor. Me skeptrin e drejtshkrimit ne dore, të dashuruar si narcizë me granatikat e veta, shpërfillës e përbuzës ndaj çdo testimi gjuhësor në vite, kanë qëndruar, kemi qëndruar si Sfinksa hijerëndë e pa gojë në tryezat tona te studimit, pa i hedhur kurrë sytë nga shkolla, madje duke e torturuar shkollën! Jam nënë e tre nxënësve, dhe kam parë sesi Gramatika e Akademisë së Shkencave, e thjeshtuar në fare pak paragrafë, u është rrasur në tekste e programe nxënësve a thua se do të dalin të gjithë gjuhëtarë së andejmi. Jemi shqetësuar vec a dini të shkruani me drejtshkrim, po nuk e kemi vrarë fare mendjen a e njihni dhe a e doni Shqipen. Kështu siç ua kemi bërë ne, kaq vetëm sa ju kemi lënë ne gjuhëtarët në rrugën e nxënies së Shqipes si kulturë e gjuhë, keni shumë të drejtë të mos e kuptoni e të mos e doni.
Ju kërkojmë ndjesë. Fajtorêt e vetëm për këto 4 të vetme dhjeta në maturë janë gjuhëtarët.
Në emër të Institucionit tim, Akademisë së Studimeve Albanologjike, ju jap fjalën se ky është viti i fundit që gjuhëtarët e lenë shkollën vetëm. Do dimë t’ju bëjmë të dini e të doni. Keni pasionin tonë si premtim.
Shqipja? Do t’ju ndriçojë zemrat dhe mendjet. Dhe madje do të rrisë edhe më dhjetat e matematikës e të çdo lende tjetër. Gjithçka është gjuhë, edhe një formulë matematike, edhe një “Të dua”.
Shihemi shpejt me lajme të reja!