Prodhimi i pemëve frutore në vendin tonë, arriti në më shumë se 287 mijë ton në fund të vitit të kaluar, bëri të ditur Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.

Krahasuar me të njëjtën periudhë një vit më parë, ky prodhim u rrit me 4.92%.

Niveli më i lartë i prodhimit të pemëve frutore u arrit në qarkun e Korçës me 89.753 tonë pasuar nga qarqet Elbasan me 39.118 tonë dhe Fier me 33.774 tonë.

Referuar statistikave, grupi i pemëve frutore me farë zë 45.43% të prodhimit, peshën kryesore në këtë grup e zë prodhimi i mollëve me 85.25%. Qarku i Korçës zë 66,02% të prodhimit të mollëve gjithsej në vend.

Në grupin e pemëve frutore me bërthamë, peshën më të madhe e zënë prodhimi i kumbullave me 46.33% të prodhimit të këtij grupi, pasuar nga qershitë me 24.80% dhe pjeshkët me 23.18%.

Në grupin e pemëve frutore subtropikale, kryeson prodhimi i fiqve me 51.40% pasuar nga shegët me 17.76%.

Niveli më i lartë i prodhimit tek pemët frutore arrore është shënuar në qarkun e Kukësit, peshën kryesore në këtë grup e zënë arrat me 46.37%, pasuar nga gështenjat me 33.96%.