Presidenti francez Emmanuel Macron u nis sot për një udhëtim në vendet fqinje të Ukrainës, Rumani dhe Moldavi. Elysee theksoi se ”Macron do të shkojë fillimisht në Rumani dhe më pas do të vazhdojë në Moldavi dhe të dyja vizitat kanë të bëjnë me kërcënimin që vjen nga pushtimi rus i Ukrainës”.
Do të diskutohen gjithashtu ofertat për anëtarësim në Bashkimin Evropian nga Ukraina, Moldavia dhe Gjeorgjia. Shtetet e BE-së pritet të marrin qëndrimin e tyre për statusin e kandidatit të tre vendeve në një samit nga 23 deri më 24 qershor.
Macron do të vizitojë trupat franceze në bazën ushtarake Kogalniceanu në Rumani dhe atje do të takohet me presidentin e vendit Klaus Iohannis. Më pas ai do të vizitojë Moldavinë me ftesë të presidentes Maia Sandu. Sandu i bëri thirrje Macron për mbështetjen e përpjekjeve të vendit të tij për t’u bashkuar me BE-në gjatë një udhëtimi në Paris në maj.
Në fillim të majit, Macron propozoi krijimin e një forme bashkëpunimi të zgjeruar të BE-së me vendet, pranimi i të cilave në bllok nuk ishte realist në afat të shkurtër. Elysee tha se edhe kjo do të ishte një temë diskutimi.