Ish-ministri i Jashtëm, Paskal Milo, thotë se është e nevojshme që Kosova të rishikojë qasjen e saj në raport me Ballkanin e Hapur. Sipas tij, ruajtja e qasjes së deritanishme për këtë nismë, do ta izolonte Kosovën në raport me adresimin e problematikave të rajonit.
Është folur që Ballkani i Hapur mund të jetë një rrugë që Serbia të njohë Kosovën, por në një perspektivë afatgjatë. Kosova duhet të reflektojë. Ballkani i Hapur mund të shërbejë si një klub për problematikat e rajonit. Kosova duhet të mendohet mirë për t’u ripozicionuar në lidhje me Ballkanin e Hapur. Më mirë është të jesh brenda kur diskutohet sesa të jesh jashtë.
Amendamentin e votuar së fundmi me shumicë votash nga Parlamenti Europian, i cili thekson se dialogu me Kosovën duhet të përfundojë me njohje reciproke, Milo e sheh thjesht si rezolutë mbështetëse.
Nëse nxitet dialogu thjesht për një amendament shtesë nga KE kjo mbetet për t’u parë. Nuk është hera e parë që miratohen rezoluta të tilla. Ato kanë mbetur mbështetëse, por nuk janë vendimmarrëse. Për fat të keq nuk ka unanimitet.