Nën drejtimin e kryetarit, Nasip Naço Komisioni i Sigurisë Kombëtare zhvilloi sot mbledhjen për të shqyrtuar projektligjin për organizimin dhe funksionimin e Aviacionit Civil.
Komisioni i Sigurisë Kombëtare pas shqyrtimit, miratoi nen për nen dhe në tërësi projektligjin për organizimin dhe funksionimin e Aviacionit Civil.
Zëvendëskryetar i Komisionit të Sigurisë Kombëtare, Ferdinand Xhaferaj u shpreh se është depozituar një kërkesë për të thirrur në komisionin në seancë dëgjimore ministrin e Mbrojtjes lidhur me problematikat e vëna re së fundmi.
“E para lidhet me problemin e pronave të ushtrisë ku në vend që të shihnim një reagim të qeverisë në drejtimin e duhur, shikojmë që qeveria ka kaluar një projektligj që zhvesh Policinë Ushtarake nga të gjitha objektivat. Po ashtu dhe situata e rënduar e zjarreve dhe asnjëri nga 4 helikopterët e blerë me taksat e qytetarëve asnjëri nuk është në gjendje pune. I kërkoi komisionit të caktohet dita dhe ora e paraqitjes së ministri të Mbrojtjes në seancë dëgjimore në komision”, tha ai.
Naço tha se, është depozituar kërkesa juaj dhe është komunikuar dhe ministri Niko Peleshi, kështu është lenë një seancë për nesër, por nëse nuk bëhet nesër do të bëhet javën tjetër.