Agjencia hapësinore e SHBA, NASA tha të enjten se planifikon të mbledhë një ekip shkencëtarësh për të studiuar UFO-t.
Fokusi do të jetë identifikimi i të dhënave, mënyrat më të mira për të mbledhur informacionet dhe si mund të përdoren për të avancuar kuptimin shkencor të çështjes. NASA i besoi këtë detyrë David Spergel, për të udhëhequr ekipin shkencor dhe Daniel Evans, një studiues i lartë në Drejtorinë e Misionit Shkencës të NASA-s.
Një ekip shkencëtarësh do të mblidhet deri në vjeshtë dhe më pas do të kalojë afërsisht nëntë muaj duke zhvilluar një raport publik mbi zbulimet që mund të bëhen, tha Evans.
NASA do të shpenzojë deri në 100,000 dollarë për këtë studim, shtoi Evans.
Njoftimi vjen një vit pasi qeveria amerikane lëshoi një raport, të përpiluar nga Zyra e Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare në bashkëpunim me një grup pune të udhëhequr nga Marina Amerikane.
Dy zyrtarë të Pentagonit dëshmuan më 17 maj në seancën e parë të Kongresit mbi UFO-t në një periudhe kohore prej gjysmë shekulli.
“Ne po e shikojmë Tokën në mënyra të reja, dhe sytë tanë janë të drejtuar nga qielli”, u tha gazetarëve Thomas Zurbuchen, shefi i njësisë shkencore të NASA-s.
“Fenomene të paidentifikuara në atmosferë janë me interes si për sigurinë kombëtare ashtu edhe për sigurinë ajrore. Përcaktimi se cilat ngjarje janë të natyrshme, ofron një hap të parë kyç për identifikimin e fenomeneve të tilla, që përputhet me qëllimet e NASA-s”, thuhet në një njoftim për shtyp.
Raporti i vitit të kaluar tha se inteligjenca amerikane nuk kishte të dhëna të mjaftueshme për të përcaktuar natyrën e këtyre fenomeneve, duke përfshirë nëse ato janë teknologji të avancuara tokësore, apo me origjinë jashtëtokësore. Dy zyrtarët e Pentagonit muajin e kaluar pranuan se shumë vëzhgime mbeten përtej aftësisë së qeverisë për të shpjeguar.
Pentagoni ka bërë publike disa video të objekteve enigmatike që shfaqin shpejtësi dhe manovrim që tejkalojnë teknologjinë e njohur të aviacionit dhe nuk kanë parë aksesorë shtesë aerodinamikë.