Përshkallëzimi i tensioneve dhe deklaratat provokuese të Greqisë dhe Turqisë janë konsideruar nga sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg si të rrezikshme për rajonin.
Në një intervistë për mediat greke kreu i Aleancës Veriatlantike i bëri thirrje palëve të tërhiqen nga retorika kërcënuese.
JENS STOLTENBERG
SEKRETAR I PËRGJITHSHËM I NATO-s
“Në të kaluarën ka pasur incidente me forcat greke dhe turke dhe ne duhet të bëjmë gjithçka që mundemi për të zvogëluar rrezikun, që një gjë e tillë mos të përsëritet më. Ne i bëjmë thirrje Greqisë dhe Turqisë që të zgjidhin mosmarrëveshjet e tyre në Egje me një frymë besimi dhe solidariteti.”
Sipas Stoltenberg, lufta në Ukrainë ka treguar që aleatët e NATO-s duhet të jenë sa më të bashkuar.
JENS STOLTENBERG
SEKRETAR I PËRGJITHSHËM I NATO-s
“Përmbajtje, moderim dhe abstenim nga çdo veprim apo retorikë që mund të përshkallëzojë situatën. Në një kohë kur lufta e presidentit rus Vladimir Putin kundër Ukrainës ka shkatërruar paqen në Evropë, është edhe më e rëndësishme që aleatët të jenë të bashkuar.”
Gjatë ditëve të fundit udhëheqësit e dy vendeve kanë hedhur akuza të ndërsjella për provokime dhe për nxitjen e tensioneve.
Kryeministri grek ka deklaruar se nuk do të tolerojë asnjë palë të vere në dyshim sovranitetin e ishujve në Egje ndërsa ka dënuar shkeljen e hapsires bregdetare dhe ajrore. Nga ana tjetër, Ankaraja ka kërkuar çmilitarizimin e ishujve në pjesën veriore të Egjeut.