Kanë nisur punimet e projektit të Institutit të Arkeologjisë të Tiranës në bazilikën paleokristiane të Elbasanit.

Gjatë këtyre punimeve do të kryhen sondazhe të ndryshme në monument me qëllim sqarimin e funksionit të kishës, sipas fazave të ndërtimit dhe natyrën e ambienteve të ndryshme ndihmëse të saj.

Gjithashtu synohet të përftohet informacion edhe për përdorimin funerar të saj, për të kuptuar shtrirjen e varrimeve brenda dhe përreth monumentit. Një pjesë e sondazheve do të jenë edhe në funksion të ndërhyrjeve konservuese që do të ndërmerren në të.

Puna në terren do të realizohet në dy ose tri periudha gjatë vitit, në përputhje me situatën dhe në funksion të ecurisë së mirë të punës dhe do të kenë një kohëzgjatje rreth 10 javë.

Në këtë sezon puna do të kryhet nga drejtuesi Dr. Elio Hobdari me pjesëmarrje studentësh arkeologjie të UT (master dhe bachelor) dhe punëtorë.

Ecurinë e punimeve do ta ndjekin nga afër edhe specialistët e DRTK Korçë, Sektori Elbasan.

Projekti “Scampis” është financuar vetëm nga Instituti i Arkeologjisë i Tiranës.