Kleviol Ahmeti i njohur si Cllevio Serbiano është arrestuar nga policia pas sherrit me reperin Noizy. Noizy u procedua penalisht nga policia së bashku me babanë e tij, Bashkim Rajkun. Ky i fundit u procedua penalisht për fyerje.
I gjithë sherri nisi për shkak të ofendimeve nga ana e Cllevio-s kundrejt Noizy-t dhe grupit të tij OTR.
“Theu masën e sigurisë ‘Arrest në shtëpi’, arrestohet në flagrancë 36-vjeçari me precedent të mëparshëm penal. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lushnjë, pas informacioneve të marra në rrugë policore se shtetasi K. A. kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, duke dalë jashtë banesës, kanë organizuar punën për kapjen e tij. Pas kontrolleve nga Policia, shtetasi K. A. është lokalizuar në lagjen ‘Çlirimi’, në qytetin e Lushnjës”, thuhet në njoftimin e policisë.
“Në vijim të veprimeve u bë arrestimi, për veprën penale “Largim i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, i shtetasit K. A., 36 vjeç, banues në lagjen “Loni Dhamo”, Lushnjë, i cili ishte me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, për veprat penale ‘Prodhimi dhe shitja e narkotikëve’ dhe ‘Mbajtja pa leje e armëve të ftohta’”, vijon më tej njoftimi.
Kujtojmë që lidhur me sherrin, Noizy bëri një reagim në rrjete sociale, duke shkruar se askush nuk duhet t’ia marrë mirësjelljen e tij për dobësi.
“Mos ma merr mirësjelljen tim për dobësi, gëzoj respekt nga e gjithë bota dhe shpeshherë anashkaloj njerëz pa tru dhe moral. Por kjo s’do të thotë asnjë moment që mund ta teprosh deri në pikën ku ti kushdo qofsh të ofendosh familjen time ose familjarët e rrethit tim, jam djalë me tradita dhe zakone shqiptari. Ju lutem mos e harroni kurrë këtë gjë. Jeta vazhdon”, tha Noizy.