Në emisionin “Shqip” nga Dritan Hila ishte i ftuar studiuesi Mark Palnikaj për të folur lidhur me bibliotekën e Vatikanit ku vetëm 8 studiues shqiptarë ishin futur deri më sot. Ai ndau detaje interesante nga veprat më të vyera që ishin aty për vendin tonë, pjesë e të cilave janë edhe 400 letra të Skënderbeut.
“Unë nga 400 gjeta 18 mora disa faqe prej tyre. Nëse pyesim studiuesit tanë që nuk kanë qenë kurrë në Vatikan, thonë se këto letra të gjitha të njohura e të ditura. Këto janë të ditura e të njohura se i ka shkruar Skënderbeu, i ka çuar dhe të huajt i kanë ruajtur për 5 shekuj. Pastaj i kanë hapur dhe janë lexuar, në kohë të ndryshme. Por shqiptarët dhe historianët nuk i dinë dhe nuk i njohin këto letra. Ato nuk janë të publikuara për ne. Dhe ne nuk ia tregojmë dot botës, as në shqip as në anglisht.
Letrat duhen marrë, duhen transkriptuar nga shqiptarët, rishkruar nga shqiptarët, përkthyer nga latinishtja në shqip, pastaj duhen bërë libra e historisë me këto dokumente. Këto libra duhen përkthyer në gjuhë të huaj nga institucionet tona, në mënyrë që ta bëjmë historinë tonë, të njohur në të gjithë botën. Kjo është rruga që duhet ndjekur, por për mua këtu punohet shumë pak. Letrat i përkasin periudhës nga Papa Eugjeni IV deri te Papa Sisto IV. Ata kanë shkëmbyer letra për problemet e luftës, ndihmat, fushatash, lidhjet me mbretërit e tjerë francezë apo spanjollë”, u shpreh Palnikaj në Dritare TV./L.F-dritare.net