Paulin Rajta është emëruar këtë të premte si drejtor i Policisë së Burgjeve nga ministri i Drejtësisë Ulsi Manja.

Drejtues i Lartë, me një eksperiencë të gjatë në Policinë e Shtetit dhe në detyra të tjera të rëndësishme Rajta ka kryer studimet e larta në Akademinë e Policisë dhe në Drejtësi, si dhe ka një sërë trajnimesh profesionale në fusha të ndryshme, që nga lufta kundër terrorizmit deri në marrëdhëniet me publikun.

Ka qenë drejtues në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, po ashtu në qarqet Shkodër, Dibër, Berat, Vlorë etj.

Ka kryer detyra të rëndësishme në Administratën Publike. Së fundmi Rajta kryente detyrën e Drejtorit të IEVP “Jordan Misja” Tiranë.

Në të gjitha detyrat e ngarkuara, Rajta ka treguar profesionalizëm, përkushtim dhe korrektësi në zbatimin e ligjit, luftën ndaj krimit dhe shërbimin ndaj qytetarëve.