Helikopteri i Forcës Ajrore EC- 135 ka kryer brenda ditës tre operacione, jo të lehta shpëtimi, duke u ardhur në ndihmë tre qytetarëve në zona të thella të vendit, në një terren mjaft të vështirë.
Lajmin e bëri të ditur ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, i cili u shpreh se, misioni i parë ishte ai në Malin e Çikës, ku një punonjës i ujësjellësit të bashkisë Himarë ishte dëmtuar.
“Një tjetër rast ishte ai i një gruaje me probleme kardiake në Himarë. Me ndihmën edhe të ekipit mjekësor u bë i mundur evakuimi pa probleme drejt spitalit i të dy qytetarëve”, theksoi Peleshi në një postim në rrjetet sociale.
“Ekuipazhi i helikopterit transportoi nga Qafa e Pejës drejt spitalit të Shkodrës, edhe një turiste gjermane, e cila kishte pësuar frakturë gjatë eksplorimit të zonës”, u shpreh Peleshi, i cili publikoi edhe video nga këto operacione shpëtimi.