Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) zbardhi sot detaje mbi bllokimin e përkohshëm të trafikut në rrugën “Alajdin Frashëri”, në Tiranë, për shkak të punimeve që po kryen për asfaltimin e kësaj rruge.
Sipas ARRSH-së, në Unazën Lindore Loti 2, në përputhje me grafikun e punimeve, do të fillojnë punimet e asfaltimit në rrugën “Alajdin Frashëri”.
“Duke filluar nga data 02.06.2022, ora 11:00 deri në orën 16:00, trafiku do të devijohet në kryqëzimin e Surrelit dhe do të bllokohet përkohësisht në rrethrrotullimin e Shkozës për rugën “Alajdin Frashëri” që do të asfaltohet”, informon ARRSH në një postim në rrjetet sociale.
ARRSH bën të ditur se, “në këto pika do të vendoset sinjalistika e përkohshme për devijimin dhe orientimin e trafikut në kryqëzimin e Surrelit në drejtim të Farkës dhe bllokim rruge në rrethrrotullimin e fundit në Shkozë, ku kalimi do të behet në drejtim të Unazës”.
ARRSH publikoi skemën e rrugës “Alajdin Frashëri” që do të asfaltohet, me zonën ku do të kryhen punimet dhe pikat e devijimit të trafikut, teksa kërkon mirëkuptimin e përdoruesve të rrugës dhe drejtuesve të mjeteve.