Rusia ka shpallur tetë diplomatë grekë “persona non grata” dhe u ka dhënë atyre tetë ditë për t’u larguar nga vendi, ka deklaruar Ministria e Jashtme ruse.

Mesditën e së hënës, ambasadorja greke në Moskë, Ekaterini Nasika, u thirr në Ministrinë e Jashtme ruse ku i është dorëzuar një notë proteste për atë që Kremlini e ka quajtur “kursin konfrontues të autoriteteve greke ndaj Rusisë, duke përfshirë furnizimin me armë dhe pajisje ushtarake për regjimin e Kievit” si dhe kundër një vendimi të Athinës për të shpallur një grup diplomatësh rusë “persona non grata”.

Sipas deklaratës zyrtare në faqen e Ministrisë së Jashtme ruse, nota e protestës që përmbante dhe vendimin për dëbimin e tetë diplomatëve grekë në Moskë, ishte pasojë e drejtpërdrejtë e veprimeve jomiqësore, të cilat ka filluar vetë Athina dhe theksohet se në rast të vazhdimit të politikës anti-ruse, Kremlini ka të drejtën të përgjigjet.

Më herët, shërbimi diplomatik rus e e ka quajtur Greqinë një vend të pasigurt për rusët. Siç dihet, Greqia si anëtare e NATO-s dhe Bashkimit Evropian i është bashkuar sanksioneve të BE-së kundër Rusisë ndaj sulmit të saj në Ukrainë, ndërsa ka dërguar disa herë armatim në Kiev.

Në përgjigje të këtij veprimi nga ana e Moskës, ministria e Jashtme greke ka shprehur keqardhjen e thellë për vendimin e autoriteteve ruse.

“Nuk ka asnjë bazë për vendimin e tyre për të dëbuar anëtarë të misioneve diplomatike dhe konsullore greke, të cilët, të dalluar për profesionalizmin dhe ndjenjën e lartë të përgjegjësisë, kryenin detyrat e tyre në përputhje me dispozitat e Konventave të Vjenës dhe Marrëdhëniet Konsullore”, thuhet në deklaratën për shtyp të ministrisë së Jashtme greke.

Hera e fundit kur dy vendet kanë dëbuar 12 diplomatë nga misionet e tyre në Moskë e Athinë ka qenë prilli i kaluar, në një prej momenteve më të acaruara të marrëdhënieve të tyre 200 vjeçare.