Rusia ka ndaluar hyrjen në vend të dhjetëra gazetarëve britanikë dhe figurave të industrisë së mbrojtjes. Sipas Ministrisë së Jashtme ruse, u është ndaluar hyrja 29 gazetarëve, duke përfshirë korrespondentë të BBC.
Lista përfshin gjithashtu drejtorin e përgjithshëm të BBC-së Tim Davie, redaktorët e gazetave Times, Daily Telegraph, Guardian, Daily Mail dhe Independent, si dhe gazetarë nga Sky, Channel 4 dhe ITV.
Moska tha se vendimi ishte kundërpërgjigje ndaj sanksioneve perëndimore dhe presionit të ushtruar ndaj mediave të saj shtetërore.
Në prill, Rusia tha se nuk po planifikonte të ndalonte gazetarët e huaj, duke thënë se vetëm po shtrëngonte rregullat e vizave nga vendet jomiqësore.
Ministria e saj e jashtme akuzoi gazetarët e sanksionuar për “përhapje të qëllimshme të informacionit të rremë dhe të njëanshëm për Rusinë dhe ngjarjet në Ukrainë dhe Donbas”.
Deklarata gjithashtu tha se ata “kontribuojnë në nxitjen e rusofobisë në shoqërinë britanike”.
Përveç 29 gazetarëve, 20 “individë të lidhur me industrinë e mbrojtjes” në Mbretërinë e Bashkuar janë ndaluar.