Ish-drejtori i RTSH, Thoma Gëllçi është shpallur fajtor ditën e sotme nga Gjykata, e cila e ka dënuar atë me një vit e katër muaj burg, për shpërdorim detyre si dhe pesë vite të heqjes së të drejtës për të ushtruar detyrën në funksione publike.

Gjithashtu gjykata ka dënuar me nga një vit burg edhe tre anëtarët e komisionit të vlerësimit të ofertave Ervin Murrjën, Juliaj Tapia dhe Alban Malaveci për shkelje të barazisë në tendera.

Thoma Gëllçi u prangos me urdhër të prokurorisë së posaçme në tetor të vitit të kaluar si i dyshuar për tenderin e pajisjeve për kanalin RTSH Agro me vlerë 87 milionë lekë të reja.

I mbajtur gjatë 2018 ky tender u konstatua me shkelje duke nisur që nga shpallja e procedurës, mbas lidhjes së kontratës në dhjetor , u caktua si kusht afati 45 ditor, por sipas SPAK një javë pas përfundimit të këtij afati , ish drejtori i përgjithshëm firmosi shtesë kontrate.