Nga Eduard Zaloshnja
Gjatë fundjavës zhvillova një sondazh elektronik, ku ndër të tjera, të anketuarit (banorë të rritur, 18 vjeç e sipër) u pyetën edhe për të ardhurat e tyre personale mujore dhe se për kë kishin votuar vjet në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit. Duke i kryqëzuar përgjigjet e këtyre dy pyetjeve, mund të krahasohet mënyra e votimit të gjysmës më të varfër dhe gjysmës më të pasur të elektoratit.
Mesorja e të ardhurave personale ishte 270 euro në muaj ose 9 euro në ditë. Me fjalë të tjera, gjysma e të anketuarve kishin të ardhura personale nga 0 deri në 9 euro në ditë, ndërsa gjysma tjetër mbi 9 euro në ditë.
Te gjysma më e varfër e elektoratit, pjesëmarrja në zgjedhjet e vjetshme ishte më e lartë (vetëm 19% nuk votuan vjet). Ndërsa te gjysma më e pasur, pjesëmarrja ishte më e ulët (pothuaj 23% nuk votuan vjet). Votimi për PS-në ishte identik në të dyja gjysmat e elektoratit, ndërsa PD-AN pati rezultat disi më të mirë në gjysmën më të varfër.
Meqënëse shumica dërrmuese e pensionistëve kanë të ardhura personale më të vogla se 9 euro në ditë (325 mijë lekë të vjetra në muaj), analizova në mënyrë të veçantë sesi kishin votuar vjet të anketuarit 65 vjeç e sipër. Në këtë grupmoshë, PS-ja kishte një përqindje votimi shumë më të lartë se në pjesën tjetër të popullsisë dhe niveli i pjesëmarrjes ishte goxha i lartë – vetëm 13% e pensionistëve nuk votuan vjet.