Nga Ylli Pata/
Mungesa e një politike të mirëfilltë që vjen nga opozita, hapësira ku duhet të thuren idetë e aksionet politike, ka bërë që në plan të parë të kalojnë gossip-et e regjistruara ditët e fundit në hapësirën e grupit radikal. Një grup, që dukshëm po hap fushën vetëm për dy “kalorësit e vjetër”: Sali Berishën dhe Ilir Metën, të cilët gjithsesi nuk po i kanë të qartë konfigurimin e partisë së tyre në horizontin e zgjedhjeve të përgjithshme vendore që zhvillohen vitin e ardhshëm.
Po të vësh re me kujdes në disa media ‘sulmi” pranë Berishës ditët e fundit, është shtuar dora e sulmeve ndaj Evi Kokalarit, e cila që nga dhjetori u cilësua si një “meteor trumpist” që vjen nga SHBA, e që në fakt i qëndroi afër doktorit në foltoret e para, e deri te sulmi i 8 janarit.
Sulme që duket u ndalën pas një padie të Belind Këlliçit në gjykatë ndaj Evi Kokalarit, pas një batareje breshërish mediatike të përkrahëses së Berishës ndaj ish-kryetarit të Komisionit të Rithemelimit, të cilit doktori jo vetëm nuk i jep dorën, por as nuk i kthen shikimin.
Po çfarë po ndodh realisht? Natyrisht kultura e denigrimit dhe e shtrurjes së gojës ndaj rivalëve, duket se gjen shtratin e saj tek Fltorja e Berishës, i cili është përfaqësuesi par excellence i kësaj mënyrë të të bërit politikë.
Ku personi dhe jo propozimi i tij denigrohet me egërsinë më të madhe, ndërkohë në një kohë tjetër, sikur nuk ka ndodhur asgjë këto sulme harrohen e palët i japin dorën njëri-tjetrit e përqafohen.
Megjithatë, përveç kësaj kulture, këtij mentaliteti toksik që është kthyer në një epidemi edhe tek të rinjtë e politikës, vlen të theksohet se ka zhvillime që japin të kuptohen se e gjithë ky zulm përplasjesh, është një mënyrë për të fshehur zhvillimet reale në foltore.
E në fakt, këto zhvillime janë ato që kanë rëndësi, e që do të ndikojnë realisht në konfigurimin politik të politikës në lidhje me zgjedhjet e ardhshme.
Përveç kontestimit të zgjedhjeve në degën e partisë së Berishës në Korçë, zhvillimi më me peshë është ngritja e kryesisë së Foltores në Shkodër, qytetin, ku ky grupim arriti të fitojë bashkinë në zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit.
Në kryesinë e Foltores në Shkodër nuk figuron asnjë deputet i Partisë Demokratike në Parlament. Shenjë kjo e qartë, se një zbutje fillestare e disa deputetëve me Berishën pas dorëhëqjes së Bashës, tashmë asnjëri nuk i është bashkëngjitur partisë së politikanit të shpallur Non Grata prej SHBA. Nga ana tjetër, në kryesinë e PD-së në Shkodër, nuk figuron asnjë prej njerëzve të Jozefina Topallit, e cila u rikthye në krahët e doktorit me lot e mallëngjime, e u zgjodh në këshillin kombëtar. i vetmi ish-deputet dhe ish-kryetar bashkie që mbështeti Foltoren që në fillim, Lorenc Luka, nuk figuron në kryesinë e re të Shkodrës, ndërkohë nuk është zgjedhur as kryetari i bashkisë, Bardh Spahia, i cili u la jashtë edhe kryesisë së madhe të partisë së Berishës. Në këtë kryesi dominojnë disa rikthime emrash të vjetër që ishin larguar nga Voltana Ademi e grupimi që ka kontrolluar PD-në që nga 2013, por edhe zyrtarë të bashkisë, që ishin në fakt çelësi për fitoren e 6 marsit.
Sali Berisha, duket qartë që si pasojë e mungesës së kimisë me bazën reale të PD-së, ka vendosur të mos ofrojë “karriera qyl” njerëzish që duan katapultimin nëpërmjet foltores. Atij i duhen ushtarë, por që të jenë sa më të painteresuar për një karrierë vibrante dhe reale në parti.
Një situatë, që ngjashëm duket edhe me marrëdhëniet me LSI-në, që zyrtarisht janë aleatët politikë në “Shtëpinë e Lirisë”, por që kanë probleme të forta me njëri-tjetrin, që prej ndarjes së tortës së 6 marsit.
Protesta e paralajmëruar më 7 mars nga Berisha, duket se kërkon t’i tregojë Ilir Metës, që “lirohet” nga Presidenca më 25, se nuk do ta gjejë vendin bosh të fronit të kryeopozitarit, të cilin Meta e ka kërkuar madje që para zgjedhjeve të 21 prillit 2021, kur bëri të ditur se synon që të bëhet shef i opozitës.
E gjithë kjo lëvizje në thelb pa një fuqi potenciale, bëhet pikërisht sepse si Berisha, ashtu edhe Meta nuk i kanë mekanizmat për të ndryshuar realigjt gjërat në këtë vend. Në të gjithë këto 30 vjet, i kanë konsumuar të gjithë shanset…