Nga Frrok Çupi
Jezusi pat dhënë, i pari, formulën e njeriut të përsosur para njerëzve të varfër, dhe pas Jezusit politikanët e imituan djallëzisht. “Nëse do që të jesh i përsosur, dil e shit gjithçka që ke dhe jepua të varfërve…, pastaj thesarin e ke në qiell”, pat thënë ai në vitet ’30.
Politikat djallëzore kthehen te ‘nderimi’ për varfërinë, alias Jezus, me qëllim që popullin ta kthejnë në një deng me byk të fryrë nga era. Politikanët tanë bëjnë epokë duke u kthyer pandërprerë te viti ’45, kur Jezusi ishte 1945 vjeç, jo 30.
Si u themelua anti- komunizmi në këpucën e komunizmit?
Këto ditë në vendin tonë është festuar 31 vjetori i krijimit të Partisë Socialiste, që tani ndodhet në qeverisje të vendit përgjatë 9 vjetësh; do të kalojë edhe 3 vjet të tjerë dhe do të bëhet gati për mandatin e katërt. Kjo është Socialistja.
Por si u krijua Partia Socialiste që ka marrë rolin e ‘Zotit’ në shpëtimin e njeriut dhe të tokës, rolin e shpëtimit prej atyre njerëzve që erdhën si qeverisës në vitin 1992 dhe u vetëquajtën ‘PD’. PS u krijua nga vetë ‘armiku’ i saj, PD. PD erdhi nga ‘qielli’ me misionin për të zhdukur socializmin, por krijoji dhe fuqizoi Partinë Socialiste. Në këtë rast, vetë ‘Socializmi’ u kthye në ‘Jezus’. Socialistët dhe populli tjetër u rrahën për vdekje nga PD sapo mori pushtetin, në 22 mars të vitit 1992. Sapo erdhi në pushtet PD, të parët socialistët i hoqi nga puna, iu shënoi emrin nëpër lista që po u panë në ndonjë festë të rrihen e të shpërndahen, liderin e tyre e burgosi në Tepelenë, ca të tjerëve brenda PS u dha shuma të mëdha me qëllim që të luanin ‘kalin e Trojës’…, dhe kështu ndodhi. Por ndodhi që njerëzit, me qëllim që të ishin së bashku me njerëz, u mblodhën rreth Partisë Socialiste; kështu u bë PS që sot e për vite më vonë do të jetë në qeverisje të vendit.
‘Jezusi’- popull nuk u tmerrua aq shumë nga kamxhiku dhe shufrat që e rrihnin pa pushim: Në zgjedhjet e vitit 1996, në bombën e VEFA-s, në bombën e sajuar të Shkallnurit kundër presidentit, në vrasjet e para të 4 martirëve në Shkodër, të Remzi Hoxhës, Ali Ukaj dhe Ilir Konushevcin… Populli u tmerrua më shumë kur dëgjoi dhe vërejti të njëjtën linjë të ‘varfërisë së ndershme’, siç kishte dëgjuar edhe në fillesa, në vitin 1945. PD, sapo erdhi në pushtet, i dha shqelma popullit ‘demokrat’ dhe e shtyu të hahet me popullin tjetër për shtëpinë, për telefonin, për sheshin e protestës, për rrugën që ndan kopshtin dhe për për kanunin e gjakmarrjes. Në vitin ’93 u kthye direktiva e presidentit: ‘Gjakmarrjen ndajeni sipas Kanunit’. Qeveria e PD lëshoi urdhër të prerë që çdo socialist që ka shtëpi më të madhe se një dhomë e kuzhinë, të strehojë edhe një familje tjetër ‘demokrate’. Kështu u bë: Populli ndau me popullin dhomën e vetme, banjën e vetme, hapësirën e vetme të ngushtë dhe urrejtjen që zgjerohej përtej dhomave e përtej banjës. Por populli në të dy anët kuptoi se ‘edhe regjimi i ri anti- komunist’, erdhi me të njëjtën fytyrë siç kishte ardhur diktatura komuniste në vitin 1945. Atëherë ‘heronjtë’ ndanin një lajthi, ndërsa tani ‘super heronjtë’, duhej të ndanin një dhomë, një lugë, një lavaman, një këpucë në mëngjes. Edhe telefonat e shtëpive ua morën të tjerëve e ua dhanë ‘demokratëve’. Në të njëjtat rrugë që la socializmi, aty do të ‘shpejtohej’ kapitalizmi; në të njëjtat metoda varfërie do të shtyhej jeta; në të njëjtën mënyrë do të ndizej konflikti. ‘Bekimi’ më i madh që bënin ata të PD- së, kryesisht, ishte ky: ‘Duhej një luftë civile që të zhvillohej vendi!’.
Lufta civile do të hiqte qafe të varfrit?… Jo, kjo nuk duhej bërë, se pa të varfër nuk jetojnë këta lloj regjimesh. Shqipëria hyri në një cikël varfërie e konflikti, por pushteti grumbulloi pasuri të madhe për vete. Shtetet e Bashkuara kanë zbuluar miliarda të vjedhura nga pushteti i kohës së ‘Jezusit të varfër’, pasuri që ndodhen në duar të ish presidentit, të ish kryeministrit dhe rrethit familjar e në pushtet. Ne si komb ramë më poshtë se kombet e tjerë; edhe Çaushesku ynë është një lëngaraq i pasur.
Deri në momentin kur populli do të bëhet i pasur me pasurinë që ia kanë vjedhur, deri në atë moment nuk ka asgjë të papritur:
Kështu janë krijuar epokat e historisë sonë të re, duke u kthyer në vitin ’45. Atë vit partizanët zbritën nga mali dhe zaptuan Pallatin Mbretëror; partizani Meke lëshoi poturet dhe shkeli në krevatin e ‘zotit vetë’. U shkel ideja se populli mund të jetë i denjë për në pallat. Në vitin ’92 u shkel prapë, si atëherë. ‘Ndani shtëpitë, ndani banjat, ndani çfarë t’u gjendet…!’, lëshoi urdhër pushteti i epokës tjetër post- socialiste. Kur nisi lufta civile, e dëshiruara prej kohësh, në vitin 1997, mbinjeriu anti- Jezus u kap në krim: Ministri i Jashtëm u gjet duke ndërtuar banjën e larë në flori; presidenti i Republikës u kap me thasë plot me dollarë që vinin nga trafiku i naftës dhe armëve; apologjetët e varfërisë u kapën duke futur miliarda në makinën larëse të parave që u quajtën ‘skema piramidale’. Kështu u ndërtua lufta civile, e dëshiruara.
U dogj vendi, por shpëtuan djajtë.
Tani ndodhet sheshit e njëjta skemë: ‘Na votoni prapë ne që ishim mjeshtërit e vuajtjes suaj! Na votoni që t’u shpallim Jezus!’
… Kështu ndodhi këto ditë që shtrohej pyetja: Si u bë PS nga vetë PD?