Eni Çobani ishte viktima më e fundit e portaleve për një lajm të rremë lidhur me të, sipas të cilit deklarohej se ajo kishte ndërruar jetë. Në nisjen e rubrikës së “Shihemi në Gjyq” në “E diela shqiptare” në Tv Klan, pas përshëndetjes, ajo iu adresua menjëherë lajmit të rremë.

Ardit Gjebrea: Për ju zonja Eni më kanë pyetur të gjithë, pas një lajmi që ka qarkulluar nëpër portale, që nuk ma nxë goja ta them…

Eni Çobani: Guxim i madh, në fakt. Unë i falënderoj të gjithë shqiptarët që realisht kanë treguar një dashuri të madhe ditë pas dite dhe javë pas jave. Kam menduar që ai lajm do hiqej, por vazhdon të jetë. Atëherë, meqenëse vazhdon të jetë, edhe unë po e them sot publikisht, jam mirë, jam me shëndet të plotë, faleminderit për mbështetjen. Do jetoj sa ma ka caktuar fati dhe Zoti, kështu që sado ta thoni, ju nuk e shkëpusni dot jetën time. Kështu që faleminderit, Eni Çobani është gjallë.

Duke i paralajmëruar të tregohen të kujdesshëm me deklaratat dhe lajmet e prodhuara sepse cenojnë jo vetëm figurën e përmendur, por edhe familjarët e tyre, Eni bëri edhe një premtim publik nëse lajmi nuk hiqet.

Eni Çobani: Nëse nuk hiqet brenda kësaj jave, unë po bëj një premtim publik, do të jem njeriu i parë publik që do të bëj një kallëzim penal në prokurorinë e Tiranës për të gjetur përfundimisht kush janë personat, administratorët e kësaj faqeje, që besoj se e di se kush është, unë nuk dua ta them publikisht, por të gjithë e kanë parë dhe do të përballen me mua penalisht dhe ligjërisht për këtë lajm që kanë nxjerrë.