Zyrtarët shqiptarë deklaruan se lumi Vjosa dhe degët e saj do të shndërrohen në një park kombëtar, një lëvizje që synon të ruajë atë që ata e konsiderojnë një nga lumenjtë e fundit të egër të Evropës, shkruan gazeta e njohur amerikane ”Washington Post”.
Ministria Shqiptare e Turizmit dhe Mjedisit ka nënshkruar një marrëveshje me organizatën mjedisore ”Patagonia”, me qendër në Kaliforni, për të hartuar një plan të integruar dhe të qëndrueshëm për parkun e ri.
“Kjo është një mundësi për të mbrojtur një nga lumenjtë e Evropës, me të vërtetë një nga lumenjtë më të çmuar të Evropës”, theksoi Ryan Gellert nga ”Patagonia” për Associated Press.
”Patagonia”, së bashku me grupet e tjera mjedisore ”EcoAlbania”, ”Riverwatch” dhe ”EuroNatur”, do të ndihmojnë në organizimin dhe financimin e një grupi ekspertësh ndërkombëtarë dhe vendas, të cilët do të zhvillojnë kornizën për parkun dhe gjithashtu do të krijojnë ndërgjegjësimin në botë për këtë bukuri natyrore.
Lumi Vjosa rrjedh për 270 kilometra (170 milje) nga shpatet e pyllëzuara të maleve të Pindit në Greqi deri në bregdetin adriatik të Shqipërisë.
Shkencëtarët thonë se ekosistemi i Vjosës është shtëpia e 1 100 specieve, 13 prej të cilave janë të rrezikuara në mënyrë kritike.
Ajo ka gjithashtu një vlerë ekologjike, kulturore dhe ekonomike për 60 000 shqiptarët që jetojnë në brigjet e saj.
“Një metaforë e përsosur për natyrën në Shqipëri, me gurë të bardhë… e spërkatur me fidanë lulesh të egra”, thekson Mirela Kumbaro, ministre e Mjedisit dhe Turizmit të Shqipërisë, e cila gjithashtu ftoi vizitorët ”të vijnë dhe të vizitojnë të shohin ujërat bruz në verë dhe të rrëmbyeshëm si dhe ujërat e bardha të mbuluara me borë në dimër”.
”Shpallja e saj park kombëtar do të pasurojë brezat që do të trashëgojnë Vjosën në një mënyrë që të mbetet një lumë i paprekur në Evropë”, theksoi kryeministri Edi Rama.
Kryeministri Rama theksoi se qeveria anuloi planet për të ndërtuar tetë hidrocentrale në Vjosë dhe degët e saj që do të prodhonin energji elektrike për vendin e vogël të Ballkanit Perëndimor.
”Marrëveshja është një hap serioz drejt nisjes së një projekti të përbashkët të shumë aktorëve, jo vetëm të qeverisë, në ndërtimin e parkut kombëtar”, theksoi Olsi Nika nga ”EcoAlbania”, një nga grupet që kundërshtuan digat.
Si Nika ashtu edhe Gellert thanë se mund të duhen vite që parku kombëtar të bëhet zyrtar.
Aktualisht është një zonë e mbrojtur. As qeveria dhe as grupet mjedisore nuk mund të thonë menjëherë se sa i madh do të jetë parku i ri nëse kjo është një pyetje për panelin e ekspertëve, por Rama tha se ”do të ishte më i madhi në Shqipëri”.
Kryeministri bëri shaka gjithashtu me aktorin Leonardo DiCaprio, një ambientalist i njohur, për kritikat e mëparshme ndaj qeverisë shqiptare për dështimin në mbrojtjen e ekosistemit të Vjosës.
Kryeministri Rama theksoi se ”tani që Shqipëria ka vepruar, ndoshta “Nardi (shqip për Leonardo) mund të zgjohet dhe të ndihmojë projektin”./ATSH